Vendosni fjalën kyçe....

“Ne jemi në gjysmën e rrugëtimit tonë” – Rama publikon spotin me zërin e Robert Ndrenikës


Këtë mëngjes, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video që shënjon ditën e parë të fushatës elektorale të PS-së për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

“MIRËMËNGJES😍 dhe për hajër të gjithëve bashkë, për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë, e ardhmja jonë🇦🇱 *Dita e Parë e ndeshjes zgjedhore.”- shkruan Rama.

Kjo video shoqërohet me zërin e aktorit Robert Ndrenika, i cili flet në emër të maxhorancës për tema si teatri, tërmeti e pandemia.

Ai kërkon një mandat të tretë për kryeministrin Edi Rama, që të çojë deri në fund punët e nisura.

“Teatri ishte një vend që gjallëronte, ishte pasioni ynë, ishte shtëpia ime, ishte shtëpia juaj dhe e të gjitha familjeve tona.

Por tani boshatisja e tij tregon vuajtjet tona, në këtë kohë që shfaqjet janë ndaluar. E di, e di që këtu do të shohim përsëri shfaqje, jo vetëm këtu por edhe në Teatrin e ri Kombëtar që do të ngrihet aty ku ishte, por shumë herë më funksional dhe më i bukur nga sa ishte.

Ne jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit tonë. Vështirësitë që kaluam, nuk na thyen dot. Përkundrazi na bashkuan, na sollën më pranë njëri-tjetrit.

Ndjemë nevojën për të ndihmuar ata që ishin më shumë në vështirësi. Na kanë bërë më të fortë ato vuajtje, megjithatë akti ynë i dytë s’ka ardhur ende. E ardhmja jonë është plot shpresë.

Akti i dytë është vizioni i një Shqipërie më të mirë, me një ekonomi më të fortë, me paga më të larta, me turizëm që lulëzon, më shumë mundësira për rininë, përkujdesje për të pamundurit dhe për njerëzit në nevojë, një jetë më të mirë për të gjithë ne.

Është koha që punët e nisura t’i shpiem deri në fund. Të ardhmen që meritojmë kemi filluar ta prekim. Së bashku do të vallëzojmë sërish, do këndojmë sërish, do ngrihemi përsëri më të fortë se më parë.

Nuk ka kohë për pushim. Shqipëria është e ardhmja jonë.”– thotë Ndrenika.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *