Vendosni fjalën kyçe....

Po transportonin 19 emigrantë të paligjshëm, arrestohen 3 persona në Korçë


Policia në Korçë thotë se ka goditur dy raste të veprimtarisë të paligjshme të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit monetar.

Sipas të dhënave të policisë, tre persona janë kapur duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, të cilët vinin nga vende të lindjes.

Së pari u ndalua 38-vjeçari nga Memaliaj me inicialet D.M, i cili po drejtonte një mjet me 9 emigrantë të paligjshëm brenda. Ai nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, kur u konstatua  në aksin rrugor Bilisht-Korçë nga uniformat blu.

Rasti tjetër u shënua në lagjen nr.1 në Poogradec, ku dy persona po transportonin 10 emigrantë. Ata besohet se u kishin marrë atyre 13 mijë euro.

DETAJET E POLICISË

Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. M., 38 vjeç, banues në Memaliaj, Tepelenë; G. M., 28 vjeç dhe A. R., 48 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasi D. M., është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, pranë fshatit Cangonj, duke transportuar kundrejt shpërblimit me mjetin tip “Toyota”, 9 emigrantë të paligjshëm, të cilit gjatë ndjekjes i është bërë me shenjë të ndalonte, por 38-vjeçari, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, ku më pas u kap dhe neutralizua.

Ndërsa shtetasit G. M. dhe A. R., u kapën në lagjen nr. 1, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 10 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit prej 1300 euro në total, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *