Presidenti turk Erdogan e ka dënuar ashpër sulmin e së enjtes ndaj një xhamie në Qipron greke. Ai deklaroi sot se ky është një provokim.
“Për fat të keq, qipriotët grekë bëjnë gjithnjë këto lloj gjërash. Nuk ishte asgjë tjetër veçse provokim gjatë samitit të udhëheqësve të BE-së” – tha Erdogan.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian ishin një ndër temat kryesore në samitin dy-ditor, i cili përfundoi të premten, ku u fol edhe për përplasjet e fundit mes Turqisë e Greqisë lidhur me ishulin e Qipros.
Xhamia, në fshatin Episkopi, u vandalizua dhe mbi të u shkruan parulla nacionaliste greke së bashku me flamurin grek ndërsa në muret e dyert e saj u vendos një kryq i krishterë.
Qiproja u nda në dy pjesë në vitin 1974. Një grusht shteti nga grekët në Qipro në këtë vit synoi aneksimin e ishullit nga Greqia. Kjo çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë duke bërë që ishulli të ndahet në Qipron greke e atë turke.
Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) u themelua në vitin 1983.