Hapet për qarkullimin e automjeteve një tjetër aks i Unazës së Madhe të Tiranës.
Lajmin e ka njoftuar pak më herët ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kështu duke nisur nga ora 14:00 e ditës së sotme, është hapur segmenti nga Rrethrrotullimi i TEG-ut deri tek mbikalimi i Farkës i cili do të jetë i aksesueshëm për të gjitha automjetet.
Sipas ministres Balluku, hapja e këtij loti do të shpërndajë trafikun. Ajo deklaroi gjithashtu se në fund të muajit Mars, do të bëhet e mundur hapja edhe e tunelit të tretë në ish-sheshin Shqiponja.
“Kemi nisur nga puna dhe po përfundojmë për projektimin e lotit 4,5 dhe 6. Do të jenë tre lote të rëndësishme për të bërë ndërlidhjen mes kësaj unaze të re dhe sheshit shqiponja ku po punohet me ritme të shpejta. Dhe në datën 30 ose 31 mars ne do të hapim edhe tunelin e tretë, i cili do të përthithë një fluks, që vjen nga Durrësi për tu futur në unazën e re.
Jemi drejt përfundimit të disa veprave dhe hapjes së disa kantiereve të reja, që do të përmbyllim aksin më të rëndësishëm në kryeqytet, atë të Unazës së madhe.
Ky loti i parë që hapet sot, pavarësisht se nuk ka lidhjen me lotin e dytë është i rëndësishëm pasi shpërndan trafikun.”– tha ministrja Balluku.