Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi në Shkodër: Të kthejmë rininë që ka ikur jashtë, misioni ynë ta bëjmë Shqipërinë ‘shtëpinë’ e shqiptarëve


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi sot qenë sot në Shkodër, në një takim me qytetarët atje ku ka prezantuar kandidatët e LSI-së për deputetë për këtë qark.

Ajo theksoi se rinia dhe gratë janë çelësi i suksesit për LSI-në.

“Ju jam shumë mirënjohëse të gjithëve. I jam shumë mirënjohëse këtij ekipi fitues. Në fakt Goni (Agron Çela) të jam edhe ty mirënjohës që ia ka bërë të mundur djemve dhe vajzave të Shkodrës që të bëhen pjesë e listës fituese, sepse partitë politike në përgjithësi monopolizojnë pushtetin, monopolizojnë emrin dhe nuk krijojnë hapësira për të rinjtë dhe të rejat.

Dhe ajo që më bën përshtypje është se sa herë që vjen në Shkodër gjen çdo herë dhe më shumë njerëz, gjithmonë gjen më shumë gra, më shumë vajza, më shumë të rinj. Ky është çelësi i suksesit.  Çelësi i suksesit të LSI-së kanë qenë të rinjtë, të rejat, kanë qenë forca tek gratë dhe vajzat, prandaj bëhen edhe xhelozë, por le të plasë syri i keq.

Sot edhe pse pandemia nuk na lejon që ne të kemi takime të mëdha, kjo nuk e ndalon forcën e LSI-së për të kontaktuar me njerëzit, për të biseduar me ta, për të qenë në çdo shtëpi.

Ne sot prezantojmë kandidatët e Shkodrës, por në fakt Shkodra e ka shumë të thjeshtë komunikimin me kandidatët, e ka shumë të thjeshtë komunikimin me të rinjtë dhe të rejat, sepse vetë LSI-a në Shkodër ka qenë promotorë e promovimit, e emancipimit, e kulturës, promotorë e dijes.”- shprehet Kryemadhi.

Një nga pikat kryesore që zonja Kryemadhi përmendi është kthimi i rinisë në vend.

“Dhe ne këtu sot kemi Melisën si më të renë, e cila është studente në Angli. Dhe unë Melisa jam e bindur që dijet e tua nuk do të ngelen në Angli, por do të vijnë këtu, do të kthehen. Angazhimi i studentëve në listën e LSI-së nuk ka të bëjë thjesht për t’i marrë njerëzit dhe për të thënë që ne kemi studentë, por ka të bëjë me faktin për t’iu futur një rruge, e cila për hir të së vërtetës është në dorën tuaj.

Kjo është beteja jote e parë elektorale dhe në këtë betejë elektorale normal që ti nuk mund të ndihesh siç ndihet Monika që ka 17 fushata që bën, por të jesh e bindur që forca jote, energjia jote, fjala jote është shumë më e fortë se fjala e Monikës. Ti ke pasion, ti ke dëshirë për të ecur përpara dhe mbi të gjitha do ta bësh këtë vend.

Monika, Goni apo edhe shumë të tjerë që janë themelues të LSI-së, që e bënë LSI-në nuk kanë mision thjesht për të qenë deputetë në Parlament, por ne kemi mision t’ju kthejmë ju që keni mbaruar studimet jashtë, të mbaroni studimet, të vini në Shqipëri dhe të kontribuoni në vendin tonë, sepse unë dhe Agron Çela u dolëm për Zot prindërve tanë, po ne kush do të na dalë për Zot? Kështu që keni misionin që Shqipërinë ta bëni shtëpinë e shqiptarëve, sepse në qoftë se një njeri nuk ka shtëpi, nuk ka familje është qyqar. Dhe nuk duam ti lëmë shtëpitë e shqiptarëve shtëpi qyqarësh, por duam ti kthejmë në shtëpi.”– shprehet ajo.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se shkodranët janë me fat që nuk kanë një kryetar bashkie nga ‘Rilindja’, sepse sipas saj do ta kishin shembur Teatrin ‘Migjeni’ si dhe lagjet e vjetra shkodrane.

“Megjithatë unë jam e bindur që 25 prilli do të jetë fundi i kësaj monstruoziteti të këtij shkatërrimi të memories së historisë sonë, por secili nga ne duhet të punojë çdo ditë duke trokitur derë më derë, duke takuar miqtë dhe shokët për të shtuar çdo ditë nga një votë.”– shton ajo.

Kryemadhi u shpreh e bindur që LSI në Shkodër do të shënojë fitore spektakolare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *