Prej më shumë se 41 orësh nga zjarri që ra në magazinën e një qendre tregtare në hyrje të Tiranës, vijon të mos ketë asnjë gjurmë nga 33-vjeçari Arjan Sala, shefi i sigurisë së kësaj godine që hyri brenda për të nxjerrë prej aty punonjësit.
Sipas televizionit ‘Neës24’, forcat e zjarrfikëses kanë hapur disa tunele ajri, për të ulur temperaturën në katin minus 1, atje ku ndodhet dhe vatra e zjarrit.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të reparteve të Ushtrisë dhe të Rinasit, si dhe forca të zjarrfikëses nga Kamza.
I riu Arjan Sala nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike që prej pasdites së të mërkurës, kur dyshohet se ka mbetur brenda magazinës, pasi ka nxjerrë prej aty disa prej punëtorëve të tjerë që u rrezikuan nga zjarri.
Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, ende në momentet që flasim nuk është mundur që të shuhet plotësisht zjarri, e familjarët e Salës fajësojnë zjarrfikësit se nuk kanë mjetet e duhura. Ata shprehen se përpjekjet për të hyrë brenda kanë qenë minimale.