Vendosni fjalën kyçe....

11 viktima dhe 873 raste të reja lidhur me Covid-19 në Kosovë


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të shtunën, se në Kosovë 11 persona kanë vdekur pas infektimit me koronavirus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Skënderaj 3 raste (83, 74, 69 vjeç), Prishtinë 2 raste (85, 70 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Klinë 1 rast (62 vjeç), Lipjan 1 rast (69 vjeç), Pejë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (36 vjeç), Suharekë 1 rast (63 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas raportit ditor, nga 4.371 mostra të testuara, janë regjistruar edhe 873 raste të reja me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Kjo shifër paraqet numrin më të lartë të infektimeve ditore, të regjistruara më 2021.

Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur edhe 544 pacientë.

Që prej 13 marsit 2020, e deri më 27 mars, 2021, Kosova ka regjistruar 87.067 raste me koronavirus.

Prej tyre, 1.830 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq, 71.813 persona janë shëruar. Raste aktive janë 13.424.

Ndërkaq, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës tha të shtunën se 837 pacientë po trajtohen në klinikat dhe spitalet e Kosovës. Prej tyre, 700 janë të konfirmuar me koronavirus dhe 30 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *