Kreu i PD-së ka theksuar mbrëmjen e sotme pikat kryesore të programit të forcës politike që drejton.
Basha tha se objektivi kryesor i programit është ndërtimi i një familjeje të fortë shqiptare për t’i kthyer asaj dinjitetin dhe mundësin për punësime e jetë normale.
Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 për të folur për librin e tij të parë.
“Dua ta përsëris që, nuk besoj se jam përjashtim këtu, besoj që shumica e shqiptarëve kanë privilegjin të mbështeten fort tek familja, tek anëtarët e familjes ndaj edhe fokusi dhe objektivi kryesor i plani tonë është të ndërtojmë një familje të fortë shqiptare në kuptimin e zhvillimit ekonomik, në kuptimin e vendeve të punës, në kuptimin e mbështetje të fëmijëve e dhënies fund të zvogëlimit të tkurrjes së Shqipërisë. Ju e dini ne kemi një plan i cili nxit krijimin e familjeve të reja duke i dalë përpara disa prej sfidave kryesore siç janë kosto e një fëmije të porsalindur apo kosto e arsimimit të fëmijëve apo kosto e një banese të re por po kështu edhe kujdesi për prindërit për ata që kanë shkrirë jetën e tyre në kohë shumë të vështira për të na bërë këta që jemi sot.” – tha Basha.
Ai shtoi më tej se pas 25 prillit, Shqipëria do nisë ndryshimin drejt normalitetit, zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies e rugëtimit drejt integrimit në BE.
“Prandaj familja është në fokus qoftë në kuptimin, forca ime është, frymëzimi im, por është edhe frymëzimi im në kuptimin familja shqiptare dhe si dua ta shoh familjen shqiptare nesër në një Shqipëri ndryshe, në një Shqipëri me oportunitete, me një Shqipëri të zhvilluar, me një Shqipëri që i kthen familjeve shqiptare dinjitetin dhe mundësinë për punësim dhe për një jetë normale për mirëqenie dhe për dinjitet.” – shtoi Basha.