Prodhuesi më i madh i lëndës drusore prej nga prodhohet letra e tualetit, ka paralajmëruar se gjërat mund të përkeqësohen për shkak të bllokimit të Kanalit të Suezit dhe mungesës së konteinerëve.
Kompania me bazë në Brazil, Suzano Sa, e cila prodhon rreth një të tretën e pulpës së drurit të fortë në botë, tha se po bëhet më e vështirë për të siguruar kontejnerët e transportit.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Walter Schalka, i tha Bloomberg se nëse çështja përkeqësohet, një mungesë letre higjienike në të gjithë botën mund të jetë e pashmangshme.
Ai shtoi se kompanisë tashmë i është dashur të shtyjë dërgesat e planifikuara fillimisht nga marsi në prill. Nëse ndërprerjet e tregtisë vazhdojnë, prodhuesit e letrës së tualetit mund ta shohin veten në pamundësi për ta prodhuar atë nëse nuk kanë stoqe të mjaftueshme të lëndës së parë, tha Schalka.
Kjo mund të çojë në mungesa të reja në raftet e supermarketeve si pranverën e kaluar kur paniku për furnizimet lidhur me pandeminë Covid-19 bëri që njerëzit në SHBA e vendet e tjera të mëdha të grumbullonin sasi të mëdha furnizimesh mes të cilave edhe letër tualeti.
Analistët thonë se mungesa globale e kontejnerëve është nxitur nga një rritje në blerjet në internet dhe një bum i eksportit kinez.