Kreu i Shtetit Ilir Meta ka reaguar pas gjetjes në orët e para të mëngjesit të sotëm të Arjan Salajt i cili u fut mes flakëve për të shpëtuar punonjësit e tjerë në magazinën e qendrës “Casa Italia” në Tiranë.
Pas tre ditësh në flakë Sala trupi i tij u gjet ditën e sotme.
Meta shpreh mirënjohje të thellë për Salaj i cili u vetëflijua për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve të tjerë.
“Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.
Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.
Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit.
Ngushëllimet më të ndjera familjes!
Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!”-shkruan Meta.