Policia e Shtetit ka shkatërruar një celulë kriminale, e cila trafikonte armë dhe droga të rënda nga Italia për t’i shitur në Shqipëri. Dy shqiptarë dhe një italian nga Leçe, i dënuar disa herë në vendin e tij, janë vënë në pranga pasi iu janë gjetur armë dhe drogë, heroinë dhe kokainë. Emrat e tyre janë Vladimir Gjoci, Gegard Gaci dhe Marco Maraschio.
Policia e Shtetit njoftoi se në bazë të informacioneve të grumbulluara për veprimtari të kundërligjshme në fushën e trafikimit të drogës dhe armëve, pas hetimeve 6-mujore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan operacionin policor të koduar “Weekend”.
Si rrjedhim, u arrestuan V.Gj, 46 vjeç për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “trafikim të armëve dhe municionit” si edhe G.G, 26 vjeç për shitje droge.
Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit italian M.M, 40 vjeç, i dënuar disa herë në Itali në fushën e trafiqeve të paligjshme, bashkëpunëtor i 46-vjeçarit V.Gj.
Gjatë kontrollit të banesës së shqiptarit V.Gj u gjetën 2 pistoleta, një sasi kokaine dhe heroine, një sasi municioni luftarak dhe sende të tjera të paligjshme
Nga hetimet ka rezultuar se shqiptari V.Gj së bashku me italianin M.M me banim në Leçe të Italisë, i dënuar disa herë në Itali për trafiqe, merreshin me trafikimin e armëve luftarake nga Italia në Shqipëri, të cilat i shisnin më pas në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Gjatë kontrollit fizik, italianit i është gjetur heroinë.
Personi i tretë i arrestuar G.G ishte shpërndarësi i drogës, të cilën e merrte nga 46-vjeçari shqiptar V. Gj.
Dosja e tyre i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.