Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e quan tradhti kombëtare një bashkëpunim të mundshëm mes forcës së saj politike dhe Kryeministrit Edi Rama.
Kryemadhi është pyetur sërish për zërat që mendojnë se mos-hyrja në një koalicion me lista të përbashkëta me PD-në lë një shteg për një bashkëpunim me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Në një intervistë për Abc News, kryetarja e LSI-së edhe një herë hedh poshtë çdo mundësi për një koalicion tjetër me PS-në.
“Bashkëpunimi i LSI me Edi Ramën është tradhti kombëtare. Të bashkëpunosh me një njeri, i cili ndien neveri për vendin e tij, për një njeri që ndien urrejtje për popullin e tij, për një njeri i cili i ngre zgupthi qytetarët e vet për t’i larguar nga Shqipëria, normal që çdo bashkëpunim me Edi Ramën do të ishte tradhti kombëtare.
Përsa i përket angazhimit dhe takimeve tona, duhet të kemi një gjë parasysh që qoftë PD, qoftë LSI janë dy grupime të ndryshme, pavarësisht se për herë të parë në historinë e tranzicionit të 30 viteve, ne kemi një koalicion parazgjedhor midis Partisë Demokratike dhe një partie të majtë, që është LSI, e cila nuk është më thjesht një strukturë me katër deputetë, por është një strukturë e cila është realitet politik dhe mund t’ju them që është edhe shumë më shumë se një forcë politike”-deklaroi Kryemadhi.