Një sulm me bombë ka ndodhur pranë një kishe katolike në qytetin indonezian të Makassar-it, duke lënë të paktën 14 persona të plagosur.
Policia tha se një shpërthim ndodhi ndërsa dy persona u përpoqën të hynin në kishë të dielën përpara Pashkëve.
Një motor i shkatërruar dhe disa pjesë trupi u gjetën në vendin e ngjarjes dhe policia tha se dy sulmuesit kishin vdekur në një sulm vetëvrasës me bombë.
Militantët islamistë i kanë sulmuar kishat dhe në të kaluarën, por asnjë grup nuk ka thënë ende se ishte pas këtij sulmi me bombë.
Ministri i Çështjeve Fetare, Yaqut Cholil Qoumas e dënoi sulmin dhe i kërkoi policisë të rritë masat e sigurisë në vendet e adhurimit.
“Cilido qoftë motivi, ky sulm nuk mund të justifikohet nga asnjë fe, sepse vetëm u bën dëm njerëzve të tjerë.”- tha ai, citon BBC.
Çfarë dimë për sulmin?
Shpërthimi ndodhi rreth orës 10:30 në fund të një meshe, një të dielë para të dielës së Pashkëve.
“Kishte dy njerëz të hipur në një motor kur shpërthimi ndodhi në portën kryesore të kishës – autorët po përpiqeshin të hynin në kompleks.”- tha zëdhënësi i Policisë Kombëtare, Argo Yuwono.
Policia tha se të paktën 14 persona u plagosën, duke përfshirë zyrtarët e kishës që ndaluan sulmuesit të hynin në mjediset e katedrales.
Shpërthimi ndodhi nga hyrja anësore e kishës. Kryebashkiaku Danny Pomanto tha se nëse shpërthimi do të kishte ndodhur në hyrjen kryesore, kjo mund të kishte sjellë shumë më shumë viktima.