Ndërkohë që në Sheshin Skënderbej ka nisur vaksinimi masiv sipas qeverisë, me të moshuarit mbi 70-vjeç, kandidati i PD-së për deputet, Tritan Shehu, thotë se Shqipëria barazohet me Afrikën Qendrore sa i përket numrit të personave të vaksinuar.
Ai i ka konsideruar “shfaqje cirku me vaksina të pacertifikuara”, daljet e kryeministrit Edi Rama për mediet dhe eventet e organizuara lidhur me vaksinat.
Sipas Shehut, Rama në të vërtetë po përpiqet të fshehë gjendjen tragjike ku ndodhet vendi.
“Rama organizon ‘shfaqje cirku’ vaksinash të pa certifikuara, për të fshehur faktin që Shqipëria renditet në fund të Botës për nivelin e vaksinimit e pasojat e Covid.
Këto vijnë nga keq menaxhimi mbi një vjeçar i epidemisë, që po paguhet me numrat nga më të lartë në botë të humbjeve të jetëve të qytetarëve e mjekëve, infeksioneve të larta ditore, pa mundësinë për t’u testuar, mjekuar në kushte spitalore e të përshtatshme, shpenzimeve personale ambulatore për të, mos trajtimit si europianët edhe për vaksinimin, etj.
Sipas observatorit britanik ne qëndrojmë në nivelin Afrikano Qendror me 2,16 doza (jo vaksinime) për 100 banorë, kur mesatarja botërore është 6,76, duke përfshirë dhe vendet më të prapambetura.
Ndërkaq Kryeministri në ikje kërkon të fshehë këtë gjendje tragjike me teatralitete, duke përdorur ato vaksinat ruse e kineze të ardhura, njëra nga Emiratet tjetra nga Turqia, vaksina të pa certifikuara nga agjensia Europiane, Amerikane apo Britanike.”– shkruan Shehu.
Sipas kandidatit demokrat për deputet, nuk ka asnjë të dhënë profesionale të bërë publike mbi efikasitetin e këtyre vaksinave, ndërsa thekson se më 25 Prill publiku do reagojë.
“Asnjë e dhënë shkencore e profesionale nuk bëhet publike për efikasitetin e tyre, nivelin e komplikacioneve, fazat e cilësinë e eksperimentimit të tyre.
Institucionet shtetërore përgjegjëse që duhet të bëjë këto, si Komiteti Covid, Komitetit i Vaksinave, Agjensia e Barnave etj vazhdojnë të heshtin, duke harruar se heshtja nuk i përjashton nga përgjegjësitë.
Aq më shumë kjo, kur jo shumë kohë më parë po këto institucione, si dhe Ministria e Shëndetësisë e deri te Kryeministri vetë, deklaronin se në Shqipëri nuk mund të hyjnë vaksina të pa certifikuara nga EMA ose FDA.
Ndërsa sot ccdo gjë kthehet ‘kokë poshtë’, pa asnjë argument profesional e komunikim zyrtar, duke trajtuar kështu qytetarët shqiptarë si “të dorës së dytë” përballë atyre europiane.
Në këto kushte kur vihet në lojë siguria e shqiptarëve, shëndeti masiv i popullsisë, jeta e tyre dhe kur heshtja qeveritare është e plotë, institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë.
Sidoqoftë tashmë me 25 Prill do të reagojë publiku i gjerë, i cili meriton po ato standarte, cilësi e nivele sigurie edhe për vaksinat ashtu si qytetarët e vendeve të tjera të BE.”- deklaron demokrati.