Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka komentuar incidentet që kanë ndodhur në Elbasan.
Në një intervistë në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në ‘Neës24’, Balla tha se incidenti që ndodhi në Ditën e Verës më 14 Mars, u shkaktua nga demokratët.
“Fushata është e qetë. Ajo që ndodhi në Elbasan nuk ka lidhje me fushatën. Jemi duke dalë para të ndershmëve, që është populli. Ajo që ndodhi në Elbasan ishte një akt i shkaktuar nga PD-ja, për të prishur festën. Në dasmë nuk shkohet ne flamuj partie. Festa e Ditës së Verës është festë që shkohet për të respektuar këtë festë. Është moment i tejkaluar. Mendoj se do të jetë një fushatë e qetë. Apeli im ndaj PD-së dhe partive të tjera është që të respektojmë vullnetin e shqiptarëve, të qytetarëve.”– deklaroi Balla.
Ai shtoi se çdo akt i tillë duhet dënuar, ndërsa këmbënguli se ndryshe nga sa pretendon opozita Elbasani nuk është qytet krimi, por qytet i dijes.
“Patjetër, çdo akt i tillë duhet dënuar. Ishte moment i inskenuar, i rregulluar kokë e këmbë nga PD. Në çdo moment krijon situata që si bën nder Elbasanit. Elbasani është qytet që bashkëjetesa dhe solidaritet është simbol. Sa herë del një demokrat thotë; ‘Elbasani është qyteti i krimit’. Jo mor vëlla, Elbasani është qyteti i dijes. Furnizuese i dijes ka qenë Elbasani. Ju lutem shumë, kur të flitet për Elbasanin, të flasim për gjërat e mira të këtij qyteti. Besoj se këto 4 javë të shkojnë normalisht. Njerëzit duhet të përcaktojnë se cilën parti do të votojnë.”– shtoi deputeti Balla.