Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla pati sot një takim me kreun e misionit të OSBE/ODIHR-it e pas këtij takimi, deklaroi se fleta e votimit duhet të jetë sa më e thjeshtë, duke sjellë si model perfekt atë të Kosovës.
“Falë ndryshime kushtetuese këto zgjedhje janë të parat ku qytetarët do votojnë jo vetëm për partinë, por edhe kandidatin. Është e domosdoshme që Komisionieri, KQZ të përmbyllë fletën e votimit, me qëllim që qytetarëve shqiptarë t’iu jepet mundësia të kuptojnë një fletë votimi sa më të thjeshtë, një fletë votimit që të reduktojë çdo lloj mundësie për votë të pavlefshme.”– tha Balla.
Ai shtoi: “Sa më e thjeshtë dhe më e kuptueshme për qytetarët fleta e votimit, aq më pak e mundshme bëhet mundësia e qytetarëve të bëjnë një fletë të pavlefshme. Modeli i fletës së votimit në Kosovë, një model perfekt. Fleta e votimit duhet të jetë e tillë që kapet ose skanohet në aparaturën e posaçme të numërimit. Një fletë e madhe votimi bën që partitë e vogla që nuk kanë numërues, të kenë vështirësi në ndjekjen e procesit të numërimit.”
Mes të tjerash, Balla thumboi opozitën edhe për takimin e çeljes së fushatës elektorale si dhe takimet e Bashës me qytetarët, ku shpeshherë rregullat e vendosura për pandeminë neglizhohen.
Balla tha se ndërkombëtarët nuk kanë parë kërrkund që opozita të mos respektojë masat ndaj koronavirusit.
“ODIHR ka mision vëzhgues. Këshilla ime dhe që bashkëndamë me ambasadoren, që drejton këtë mision, është që ata kanë monitoruar zgjedhje në shumë vende në kohë Covidi, në SHBA, Serbi, Maqedoni të Veriut etj. Në Shqipëri opozita thyen rregullat ndaj Covid. Ndërkombëtarët nuk kanë parë kërrkund që opozita të mos respektojë masat ndaj koronavirusit. Unë po flas për qasje të vazhdueshme të opozitës. Këtu ka prirje për të bërë foto. Aleati i vetëm që i ka ngelur Covidit në Shqipëri janë mini-tubimet e Bashës. Marrëdhënia e PD-së me ligjin është marrëdhënie që nuk ka shkuar kurrë.”– u shpreh Balla.