PD ka vendosur të respektojë këtë ditë zie të PS-së për shkak të ndarjes nga jeta të deputetit Bashkim Fino, duke anuluar aktivitetet elektorale të cilat ishin parashikuar sot të zhvilloheshin në qytetin e Fierit.
Kryedemokrati Lulzim Basha, do të udhëtonte sot drejt Fierit për të zhvilluar një takim fushate atje por pas lajmit të hidhur është kthyer nga rruga duke e anuluar aktivitetin.
“Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij.”– thuhet në njoftimin e PD-së.
Kreu i PD-së së Fierit Luan Baçi, gjithashtu deklaroi sot se do të respektohet dita e zisë kombëtare në nder të deputetit Bashkim Fino.
Deputeti dhe ish-kryeministri socialist Bashkim Fino humbi jetën ditën e sotme në moshën 58-vjeçare, pasi prej ditësh përballej me sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi. Ai kandidonte i katërti në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Fierit. Pas lajmit të hidhur për ndarjen e tij nga jeta, qeveria e shpalli ditën e sotme “Ditë Zie Kombëtare”, ndërsa u anuluan të gjitha aktivitetet në kuadër të fushatës elektorale të PS-së për zgjedhjet e 25 prillit.