Ndahet nga jeta në moshën 59-vjeçare deputeti socialist dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Bashkim Fino. Mësohet se ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Fino ishte i katërti në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Fierit, për zgjedhjet e 25 Prillit.
Pas këtij lajmi të hidhur, kryeministri Edi Rama shpalli një ditë zie për PS-në dhe për këtë arsye ka vendosur të ndalë aktivitetet elektorale të kësaj force politike.
“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë.
Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.”– shkruan Rama.
Momente të vështira ishin dhe për kreun e PS-së Taulant Balla, i cili e mori vesh lajmin ndërsa ishte në një intervistë televizive.
“Jam tërësisht i prekur dhe nuk gjej fjalët ta shpjegoj. Një koleg, një ish-kryeministër, një kontribues i PS-së kaq shumë vite. Një ndër njerëzit më të dashur.”– tha Balla i cili dukej i tronditur dhe në një moment përlotet. Ai u detyrua të linte intervistën pas këtij lajmi.
Kuvendi ka bërë me dije se homazhet në nder të deputetit dhe ish-kryeministrit socialist, do të mbahen sot nga ora 11:00 deri në 15:30.
“Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë njofton më hidhërim të thellë se sot në orët e para të mëngjesit u nda nga jeta deputeti Bashkim Fino.
Kryesia e Kuvendit i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve dhe njofton se në nderim të deputetit Bashkim Fino, sot, më 29 mars, nga ora 11:00-15:30, do të organizohen homazhe në Pallatin e Kongreseve. Përcjellja bëhet në orën 16:00.”– thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Kush ishte Bashkim Fino
Bashkim Fino u lindi në Tiranë, më 12 tetor 1962. Ai ka kryer studimet e larta për Financë në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer disa specializime për menaxhimin e pushtetit vendor në SHBA, Itali, Greqi e Finlandë.
Përveç karrierës në fushën politike, ai është i hershëm edhe në politikë e në Partinë Socialiste.
Në vitin 1992, Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Ndërkohë prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmin e karrierës do ta arrinte në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik.
Gjatë kohës së tij në politikë, Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Ndërsa gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit./Hashtag.al