Ndahet nga jeta gjyshja e ish-presidentit amerikan Barack Obama. Më saktë, gruaja e gjyshit të tij dhe njerka e të atit. Sipas BBC-së, Sarah Obama ka vdekur në një spital në Kenia në moshën 99-vjeçare.
Zonja Obama vdiq të hënën herët në Spitalin Jaramogi Oginga Odinga në qytetin perëndimor të Kisumu-t. Kështu i tha vajza e saj Marsat gazetës Daily Nation.
Zonja Obama e mbrojti nipin e saj gjatë zgjedhjeve në SHBA kur u përfol se ai ishte mysliman dhe se nuk kishte lindur në SHBA.
Ajo ishte gruaja e tretë dhe më e re e gjyshit të ish-presidentit dhe ai e thërriste “Gjyshe Sarah” edhe pse ajo nuk ishte gjyshja e vërtetë e tij.
Sarah Obama ishte një filantropiste që promovonte arsimimin për vajzat dhe jetimët. Ajo ndërroi jetë rreth orës 4 të mëngjesit të së hënës (sipas orës lokale).
Sarah Obama, ishte gruaja e tretë e gjyshit të Presidentit Obama dhe ndihmoi në rritjen e babait të tij.