Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike në Qarkun Durrës, Edi Paloka, dhe dy kandidatët, Andia Ulliri dhe Aulon Kalaja, janë prezantuar në zonën e Fushë Krujës.
Gjatë takimit të zhvilluar këtë pasdite, Paloka theksoi pakënaqësinë që ka krijuar tashmë Rama si kryeministër, gjë që sipas tij, u reflektua dhe në hapjes së fushatës elektorale.
“Nuk ishte i braktisur dhe i vetëm mbrëmë Edi Rama, sepse siç u përpoq ta justifikonte, është nga ata që zbaton rregullat. Dhe ne u kërkuam qytetarëve që hapjen e fushatës ta ndiqnin nëpërmjet mediave, sepse të tilla ishin rregullat. Një pjesë e juaja na kërkuan të vijnë në Tiranë dhe u thamë jo, sepse këto janë rregullat dhe duhet të zbatoheshin, por nuk i ndalje dot qytetarët. Prandaj u mblodhën, për të treguar se tek Partia Demokratike shohin shpresën. Askush nuk do t’i ndalte as socialistët nëse do e shihnin me shpresë Edi Ramën, por qytetarët kalonin dhe e shihnin me indiferencë, ishin aq pak se i kanë braktisur dhe vetë socialistët. Socialistët e dinë tashmë që me Ramën jo mandat të tretë, por edhe tre orë më shumë janë fatkeqësi për shqiptarët”-tha Paloka.