Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot familjen e 33-vjeçarit Arjan Sala, i cili humbi jetën në mënyrë heroike duke shpëtuar mbi 20 kolegë të tij nga zjarri që ran ë magazinën e një qendre tregtare në hyrje të Tiranës, tek Kthesa e Kamzës.
“Ka shpëtuar shumë njerëz, fatkeqësisht me çmimin e jetës së tij, por ka bërë vërtetë një heroizëm të madh dhe shumë të rrallë në këto kohë. Natyrisht që jeta s’ka çmim, nuk kthehet. Sidoqoftë ne menduam se është detyra jonë ta aderojmë dhe adresojmë dhe vendosëm ta shpallim ‘dëshmor të Atdheut’ dhe kjo është certifikata.
Dhe ta mbështesim me sa të kemi mundësi familjen e tij të vogël dhe fëmijën me sa të kemi mundësi. Një shumë të vogël për familjen. Të gjitha këto janë më shumë për respekt se sa bëjmë ndonjë ndryshim.”– deklaroi kryeministri Edi Rama ndërsa i dorëzonte titullin babait të përlotur të të ndjerit.
Zoti Sala i tha kryeministrit: “Sinqerisht edhe unë nuk e besoja që e kisha djalin kaq trim. Nuk e besoja”. Rama iu përgjigj: “Trim e ka bërë zemra dhe edukata që i keni dhënë”.
Ndërsa xhaxhai i 33-vjeçarit u shpreh: “Na iku por jemi krenarë të paktën që historia e tij nuk do harrohet.”
Kujtojmë se i riu Arjan Sala, i cili punonte si shef i sigurisë në qendrën tregtare ku ra zjarri, hyri mes flakëve në magazinë duke shpëtuar 25 persona, por vetë u bllokua dhe ndërroi jetë.
Trupi i tij i pajetë u gjet vetëm pas 60 orë kërkimesh në një dhomë të vogël në katin minus 1 të kësaj godine, ku kishte rënë dhe zjarri.