Vendosni fjalën kyçe....

Rriten “tenderët në tavolinë”, në 2020-ën kontratat u fituan me oferta më të shtrenjta


Rindërtimi dhe situata e pandemisë kanë orientuar institucionet drejt tenderëve me negocim pa shpallje paraprake ndërkohë që nuk kanë munguar këto procedura edhe për shërbime të tjera jashtë këtyre dy aspekteve.

Raporti vjetor i Agjencisë së Prokurimit Publik për vitin 2020 tregon se në total ishin 416 procedura me negocim pa shpallje paraprake me një fond limit prej 6.2 miliardë lekësh apo rreth 50 milionë euro. Vetëm për rindërtimin rezultojnë 74 negocime pa shpallje paraprake me një fond limit prej 2.1 miliardë lekësh ndërkohë që për COVID 19 ishin 191 procedura me po 2.1 miliardë lekë si fond limit.

Tenderët me negocim pa shpallje paraprake janë kritikuar vazhdimisht për shkak të hapësirave që lenë për abuzime por duket se nën justifikimin e dy emergjencave të njëpasnjëshme institucionet kanë gjetur shteg për t’i vijuar.

Nga ana tjetër ajo që bie në sy në vitin 2020 është fakti që ofertat e bëra nga operatorët ekonomikë për të marrë përsipër punë, mallra apo shërbime kanë qenë më të shtrenjta duke rezultuar me një kursim më të ulët sesa në vitin 2019. Përqindja që zë vlera totale e fituar ndaj fondit limit të prokuruar në vitin e kaluar ishte 92.15 për qind teksa një vit më parë ishte 91.3 për qind. Kjo do të thotë se autoritetet kanë kursyer më pak para nga garat e hapura prej tyre në sistemin e prokurimit.

Çuditërisht punët apo shërbimet më të shtrenjta kanë ardhur në një vit kur treguesi i ofertave mesatare për një procedurë ka ardhur në rritje.

Në vitin 2020 mesatarja e ofertave ka qenë më e lartë që do të thotë se në një procedurë ka pasur më shumë operatorë pjesëmarrës në raport me një vit më parë. Ndërsa mesatarja e ofertave për procedurë ishte 2.57 në 2020 në raport me 2.37 në 2019 “gara” nuk ka prodhuar oferta më të lira.

Në vitin 2020 ajo që bie në sy është kërcimi i fondit që ka shkuar për tenderë që është më shumë se 2 miliardë duke u dyfishuar në raport me vitin 2019.

APP ka nënvizuar se përqindja më e madhe e procedurave është zhvilluar në 6 mujorin e dytë të vitit. Këto shifra për vitin 2020 kanë qenë të imponuara edhe nga periudha e pandemisë së Covid-19, ku në tremujorin e parë dhe të dytë u pezulluan apo u riplanifikuan nevojat.

“Megjithatë, kërkohet një koordinim dhe përgatitje më e mirë planifikuese në procesin e buxhetimit dhe detajimit të fondeve, kryesisht sa i përket investimeve publike.”– thuhet në raport.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *