Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një intervistë për televizionin serb “Happy“, ku ka folur për shumë tema, mes të cilave edhe për pavarësinë e Kosovës dhe për ish-presidentin e Jugosllavisë, Slobodan Milosheviç.
Vuçiçi tha se po ta njohë shtetin e Kosovën, do të fitonte çmimin Nobel.
“Nëse do të shkatërroja ekonominë serbe dhe do të njohja Kosovën dhe Metohinë, do të merrja çmimin Nobel.”– tha ai duke shtuar se ka mjaft çmime të tjera dhe se nuk ka nevojë për këtë lloj çmimi.
Ndërkohë për Millosheviçin, ai tha se s’ka qenë as budalla, por thjesht ka bërë disa gabime mes të cilave edhe luftërat në ish-Jugosllavi.
Presidenti serb tha se SHBA-ja dhe Gjermania dëshirojnë të mbrojnë interesat e veta në Kosovë, teksa shtoi se këto palë duan ta largojnë Rusinë dhe Kinën nga Ballkani, por vetë duan të jenë prezente në rajon.
“Duhet të kemi parasysh që Amerika ka interesat e saj këtu, dhe ky është fëmija që ata e rritën së bashku me Gjermaninë, dhe kjo është një Kosovë e pavarur.
Të gjithë kanë interesat e tyre që janë të ndryshme. Ata po përpiqen të dëbojnë Rusinë, rusët po përpiqen të qëndrojnë, Kina gjithashtu ka interesat e saj, por është gjithashtu një mik i madh i yni.
Ky është interesi ynë që të kemi sa më shumë miq që mund të kemi. Nuk është detyra jonë të përmbushim dëshirat dhe kërkesat e njerëzve të tjerë, nëse mund të ndihmojmë miqtë tanë, ne do të ndihmojmë, por gjithmonë jemi dakord vetëm me politikën tonë. Ne nuk do t’i dëbojmë kinezët me kërkesë të dikujt, as nuk do të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Ne kurrë nuk do të vendosim sanksione ndaj askujt, po ju them tani.”– theksoi Vuçiç.