Kryedemokrati Lulzim Basha po zhvillon sot në Fier, takimin që u anulua ditën e djeshme me qytetarët, pas ndarjes nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.
Ai është pritur me mjaft entuziazëm, brohoritje e flamuj nga mbështetësit e tij.
Një vajzë e re doli përpara kryedemokratit Basha duke i treguar se më parë ka qenë me PS-në, por se tanimë ndihet e zhgënjyer nga kryeministri Edi Rama. Ajo shprehet se më mirë të vdesë nga virusi, se sa të “shtypet” nga Edi Rama.
“Fitore e madhe. Unë jam një ish-socialiste e zhgënjyer, e demoralizuar. Nga këta manipulatorë, nga këta plehra. Nga një kryeministër që del tek ‘Opinioni’ dhe thotë ‘këta janë legena’.
Një kryeministër që ka 8 vite dhe thotë kjo ishte gjysma e rrugës sonë. Do edhe tetë vjet të tjera që të na shtypi, të na vrasë. Ne më mirë mblidhemi këtu e vdesim nga virusi, se sa shtypemi nga ai maskara.”- tha vajza e re.
Por Basha i tha asaj se do të punojë edhe për socialistët.
“25 Prilli do të jetë ditë çlirimi për të gjithë, edhe për socialistët. Dhe ju jap fjalën. Unë do të punoj për të gjithë, edhe për socialistët. Do të punoj për të gjithë shqiptarët, të gjithë jemi vëllezër dhe motra dhe më 25 Prill do të fitojnë të gjithë shqiptarët.”– iu përgjigj Basha vajzës së zhgënjyer nga qeveria e Ramës.
Kreu i PD-së u ka bërë thirrje qytetarëve gjatë këtij takimi, që të mbajnë maskat dhe respektojnë distancën.
“Të mbajmë maskat, të mbajmë distancën, por ama ta çojmë edhe më larg frymën e shpresës. Bashkë do fitojmë, bashkë Shqipëria do fitojë, Fieri do fitojë.”– tha Basha.