Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi takim me gratë në Kamzë: Qytetarët presin ndryshimin, LSI-ja do ketë rezultate surprizë në mbarë vendin


Kryetarja e LSI-së Kryemadhi ka deklaruar sot se ndryshimi do jetë i jashtëzakonshëm dhe se forca politike që drejton do jetë surprizë në disa qarqe.

Gjatë një takimi me gratë në Kamzë, ajo theksoi se Shkodra, Elbasani, Malësia e Madhe, Korça e Tirana do sjellin rezultate surprizë për LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Kryemadhit, ardhja e kandidatit Përparim Spahiu nga Dibra në Tiranë ka të bëjë me përfaqësimin e zonës së Kamzës si dhe të të rinjve.

“Ardhja e Përparim Spahiut nga Qarku i Dibrës në Qarkun e Tiranës në thelb të kësaj, kishte edhe një përfaqësim të të gjithë kësaj zone dhe kësaj shtrirjeje gjeografike dhe njerëzore të të rinjve, të të rejave, të familjeve tona, sepse në fund të fundit përfaqësimi i kësaj zone është i domosdoshëm dhe thelbësor. Është e disata herë që vijmë në Kamëz më Rimin, kemi qenë edhe në Paskuqan, edhe në vende të tjera dhe ndryshimi dhe ritmi është i jashtëzakonshëm. Për hir të së vërtetës është hera e parë që ne kemi kaq shumë gra vetëm në zonën e Kamzës dhe kjo është një meritë e të gjithave ju bashkë, e gjithë grupit të punës dhe unë shpresoj që ndryshimi do të jetë i jashtëzakonshëm dhe surpriza do të jenë kudo. Surprizë do të jetë Shkodra, Elbasani, Malësia e Madhe, Korça.” – tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së shtoi më tej se ka një energji pozitive te njerëzit që presin ndryshimin.

Teksa foli për kandidatin Spahiu ajo tha se ai është një ekspert i financave dhe studimit të ekonomisë duke i ftuar ato të votojnë për LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit.

“Pra ajo që më bën përshtypje është energjia pozitive që ne shikojmë te njerëzit. Edhe kur ecim rrugëve, na shkon shumë gjatë sepse njerëzit na ndalojnë, na flasin, bisedojmë dhe duan të komunikojnë me ne. Kështu që unë mendoj që angazhimi i Rimit, sepse ai nuk është thjesht një deputet apo një njeri që merret me politikë. Rimi vjen nga bota e financës, vjen si një ekspert i jashtëzakonshëm i studimit të ekonomisë, edhe në makro, në kuptimin e zhvillimit të politikave ekonomike dhe nxjerrjes së vendit nga kriza. Ne sot në jetën politike dhe parlamentare kemi nevojë për individë që kanë ide, kanë mundësitë për ta kuptuar dhe zhvilluar ekonominë. Kandidimi i Përparim Spahiut në Tiranë është një sfidë që e kemi të dy bashkë, jo vetëm për Tiranën por edhe për Dibrën, për të pasur atë rezultat që ne e mendojmë dhe besojmë që do ta kemi në të gjithë Shqipërinë.” – mbylli fjalën e saj Kryemadhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *