Kreu i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pohuar sot se forca politike që drejton do marrë pjesë në votimin e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.
Ai e bëri njoftimin pas në takimi me deputetët ee LDK-së duke theksuar se partia e tij është në politikë për të dhënë zgjidhje, shkruan Koha.net.
“Me forcën politike që kemi momentalisht kam pasur dy mundësi, një të mos marrë pjesë në seancë ose të jemi pjesë e zhvillimeve. Kemi zgjedhur të dytën. Kemi bërë kështu sepse këtë rrugë LDK-ja e ka ndjekur përherë. Kemi diskutuar për pozitën apolitike të zonjës Osmani si presidente. Këto biseda ua kam prezantuar organeve të partisë. Pas një diskutimi, të gjithë kemi marrë vendim që LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione. LDK-ja do të marrë pjesë në votim, pa paragjykuar vendimin e deputetëve. Këtë vendim ua kam komunikuar deputetëve. Pres që secili prej tyre të mos e pengojë kursin e ri të LDK-së. Pres që secili të sillet si institucionalist.” – tha Abdixhiku në një konferencë për shtyp.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK-ja mori një rezultat mjaft të dobët duke u renditur e dyta që në numër deputetësh përkthehet në 14 të tillë. Pas humbjes, kreu i saj Muatafa u dorëhoq dhe në zgjedhjet e para pak ditëve, drejtimin e partisë e mori Lumir Abdixhiku.
Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm.