Policia e Beratit ka arrestuar dy të rinj pasi janë kapur me drogë. Në pranga përfunduan Elsjon Muzyri, 21 vjeç dhe Xhuljano Mollaj, 27 vjeç, të dy banues në lagjen Uznovë. Ndërkohë është shpallur në kërkim një person i tretë, shtetasi me inicialet E.L.
Për më tepër, policia thotë se këta persona nuk i janë bindur urdhrit për të ndaluar. Përkundrazi i kanë kundërshtuar efektivët duke goditur me mjetin e tyre mjetin e Policisë dhe më pas janë larguar.
Njoftimi i Policisë:
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- M., 21 vjeç dhe X. M., 27 vjeç, të dy banues në lagjen Uznovë, Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L.
Pas informacioneve të marra nga Policia se këta shtetas posedonin lëndë narkotike në mjetin e tyre, nga ana e Policisë, në aksin rrugor Poliçan-Berat, në vendin e quajtur “Qafa e mullirit” u organizua puna për ndalimin e tyre.
Shtetasit e lartpërmendur nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, i kanë kundërshtuar ata duke goditur me mjetin e tyre mjetin e Policisë dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Menjëherë shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje për kapjen dhe ndalimin e tyre. Gjatë ndjekjes konstatuan se këta shtetas kanë hedhur nga mjeti i tyre një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.