Taulant Balla i cili është kreu i grupit parlamentar i PS-së si dhe drejtues politik i kësaj force politike në Elbasan, ka inspektuar investimet e bëra në infrastrukturën rrugore të Elbasanit.
Ai ka qenë i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.
Gjatë fjalës së tij, Balla akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se telefononte kompanitë që po zbatojnë këto përpjekje, duke u kërkuar që të bllokojnë punimet e tyre deri më datë 25 Prill. Ai i bëri thirrje Bashës që të mos pengojë punën e nisur për transformimin e qytetit.
“Njerëzit duan të bukurën dhe ajo që e qas Partinë Socialiste me procesin e transformimit të qytetit është qasja ndaj të bukurës.
Këtu pastaj ndahen dy botë: bota jonë me qytetarët e Elbasanit me botën e gaztorëve të Lulit të cilët pa pikë turpi marrin në telefon kompanitë e zbatimit të projekteve dhe u thonë aman ulni ritmin e punimeve ose bllokoni punimet deri më datë 25, a thua se ne e kemi lidhur punën tonë me datën 25. Kjo datë është thjesht një stacion për ta shtuar punën tonë sepse Elbasani e ka ndarë mendjen dhe nuk ka dilema në zgjedhjen që duhet të bëjë në datën 25.
Por i bëj thirrje Lulit se me gaztorët nuk merrem, që mos guxo as të marrësh në telefon kompanitë që bëjnë punën në Elbasan, mos guxo as të pengosh punën e nisur për transformimin e këtij qyteti. Elbasani është dhe do të mbetet qyteti i dijes dhe kulturës dhe detyra jonë është të bëjmë më bukur seç është.”- deklaroi Balla.