Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Çdo qytet sot e ka një ‘Lëndinë Lotësh’, Korça s’do jetë kurrë më “Parku i Weekendeve të Pushtetarëve”


Gjatë takimit të sotëm me qytetarët në Korçë, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal për pak caste në të ashtuquajturën “Lëndinën e Lotëve”, në nder të shqiptarëve që janë larguar nga vendi për të gjetur një jetë më të mirë diku tjetër.

Basha tha se Lëndina e Lotëve qan përsëri si 200 vjet më parë, për largimin e të rinjve korçarë nga vendi. Madje sipas tij, çdo qytet e ka një Lëndinë të vetën të Lotëve.

Kryedemokrati theksoi se Korça i ka të gjitha mundësitë, por ajo që i mungon dhe i ka munguar në këto 8 vite, ka qenë një qeverisje që të kuptonte problemet e tyre.

Basha theksoi se Korça nuk do të jetë kurrë më “Parku i Weekendeve të pushtetarëve”.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Faleminderit rini korçare për këtë pritje unike. Zemrën e kam të mbushur plot me gëzim kur shoh besimin dhe entuziazmin tuaj, kur shoh se jeni të investuar kaq fort tek ndryshimi që do të vijë me 25 Prill.

Pak ditë na ndajnë, por tashmë ua them me gojën plot se ndryshiiI ka ardhur. Është në zemrat, mendjet, sytë tuaj. Është një vullnet i pandalshëm i rinisë shqiptare.

Para se të vija këtu u ndala tek ajo që korçarët dhe jo vetëm e njohin si ‘Lëndina e Lotëve’. Një pjesë që tashmë është në qendër të qytetit, por që dikur ishte vendi i ndarjes së bashkëshortëve, i nëna e fëmijëve që largoheshin, e shpesh herë për të mos u kthyer më kurrë pranë të afërmve e të dashurve të tyre.

Lëndina e Lotëve, po të kishte gojë ai sokak, po të kishin gojë ato gurë do tregonin për vuajtjet e panumërta për 2 shekuj me radhë të qytetarëve korçarë e shqiptarë, teksa braktisnin qytetine  tyre të dashur, tokat e tyre, bukuritë e jashtëzakonshme me të cilat me bujari zoti i ka bekuar njerëzit punëtorë të kësaj treve.

Edhe unë e ndeza një qiri ashtu siç është traditë, por jo vetëm për të respektuar dhe kujtuar shumë breza korçarësh që u larguan nga Korça e tyre e dashur për të mos u kthyer më kurrë, disa prej tyre ndërtuan një jetë të re kudo ku shkuan, edhe matanë Oqeanit. Shqiptaro-amerikanë të famshëm të cilët u bënë simbole të punës, të aktivitetit politik në mbështetje të mëdha të kauzave të Shqipërisë.

Por nuk e ndeza këtë qiri vetëm për ta e për të nderuar kujtimine  tyre, për fat të keq e ndeza se Lëndina e Lotëve vazhdon të lotojë për bijtë e bijat e Korçës, që vazhdojnë të largohen në emigracion. Në çdo qytet shqiptar ka një Lëndinë Lotësh, çdo port të Shqipërisë, në stacionet ndërkombëtare të autobusëve ka lëndina lotësh si ajo që para 200 vjetësh mbulohej nga trishtimi i familjeve që ndaheshin më dysh.

Por ndryshe nga 200 vjet më parë, kjo nuk ndodh prej pamundësive të vendit, sepse Korça siç e shohim sot qartë në këtë dritë të diellit të fitores që shndërrin mbi ne, Korça i ka të gjitha mundësitë. Korça e qytetarisë, e intelektualëve, e mençurisë, e zejtarisë, e rinisë së mençur, fjalën e së cilës nuk ka nevojë për koment- i ka të gjitha. Dhe unë e di se nuk është hera e parë që jam mes jush, se ju jeni avangardë, ju jeni krenari, ju jeni Europë, ju jeni integritet, ju jeni e ardhmja që fillon sot.

Ajo që Korça nuk ka dhe nuk ka patur në këto 8 vite, ka qenë një qeverisje që t’ju shihte në sy. Që të prekte dhe ndjente problemet e rinisë korçare, që të kuptonte problemet e familjeve korçare e prindërve korçarë, e të vepronte me zemër për t’i zgjidhur ato.

Korça nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Parku i Weekendeve të pushtetarëve.

Korça do rimarë vendin që i takon dhe me të cilën krenohet një Shqipëri e tërë, do ta fillojë në atë fushë me të cilën është bërë lokomotivë e zhvillimit tonë kombëtar, në fushën e dijes, në fushën e Arsimit. Padiskutim ekonomia është problemi kryesor i Korçës. E kam parë, prekur e dëgjuar dhimbjen e familjeve korçare, të sipërmarrësve, bizneseve të vogla, të të vetëpunësuarve.

E di fare mirë se e vetmja gjë që nuk ju mungon është dëshira për të punuar. Por këto 8 vite Korça mbeti në vendnumëro. Ai e përdor vetëm si resortin e fundjavës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *