Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i qytetarit në Dajç: Tërmeti më mirë të më kishte mbytur, më dhanë vetëm 2 milionë lekë të vjetra por shtëpia është e pabanueshme


Kandidatja për deputete, Lindita Metaliaj ka vizituar sot një banor në Dajç të Lezhës, banesa e të cilit ka mbetur e dëmtuar nga tërmeti.

Qytetari Fran Gazulli, ka treguar për zonjën Meliaj se banesa e tij është klasifikuar si DS2 dhe i janë dhënë 2 milionë e gjysmë lekë të vjetra, të cilat sipas tij janë të pamjaftueshme për të rregulluar banesën pasi ajo është e pabanueshme. Shuma të tilla parash sipas zonjës Metaliaj, janë dhënë për banesa të cilat kanë pësuar dëmtime të lehta, por banesa e zotit Gazulli është fare e pabanueshme dhe nuk mund të rregullohet me një shumë të tillë parash dhe se duhej të ksihte marrë një vlerësim tjetër.

Pas 25 Prillit, Metaliaj thotë se qeveria e PD-sënuk do t’i ndajë qytetarët sipas përkatësisë politike.

DENONCIM I QYTETARIT

Qytetari: Jam Fran Gazulli, lindur e rritur në Dajç. Jam 70-vjeç. Ka rënë tërmeti i nëntorit të 2019-ës, më ka zënë brenda. Më mirë do ishte të më kishte mbyt, se sa ku jetoj unë rrugëve.

Kam shkuar në Lezhë, kam aplikuar. Jam kthyer e kam ardhur në shtëpi e kam ndenjur këtu, në krevat me gjithë gruan, me llamarina e me plastmas.

Kam prit se po vijnë inxhinierët, ata nuk erdhën. Para me me u largu kam shkuar tek administratorja. Unë nuk e di se kur vijnë inxhinierët me verifiku dëmtimet, i kam lënë dy numra telefoni, timin dhe të gruas dhe i kam thënë: ‘Majlindë, unë e kam gruan në gjendje jetë a vdekjeje, do lëviz Lezhë-Tiranë. Nëse ka mundësi, 24 orë përpara, më njofto se unë vij’. Kanë ardhur inxhinierët në Dajç, kanë bërë verifikimet. Pasi e mora vesh, kam shku e kam takuar Majlinda Milotin në zyrë. I kam thënë: ‘Zonja Majlnda, si ka mundësi moj zonjë, që kur kanë ardhur inxhinierët të tjerët i ke njoftuar e mua jo?! A ta lashë numrin?!’. Ajo më tha se s’ma ka për borxh me më njoftu.

‘Faliminers prej teje’, i thashë e pastaj kam vazhdu përsëri punën time duke u ankuar. I kam shkuar në zyrë. Kryetari i bashkisë as që bëhet fjalë me më prit se i ka vu traun doganës. Pa llogarit që atij i kam bërë edhe kërkesë me shkrim, e s’më ka prit në zyrë. Tërë ankesat e mia i kam bërë kudo.

Tri herë i kam bërë kërkesa me shkrim ministrit të Rindërtimit, e të njëjtat përgjigje kam marrë. Nuk kam kërkuar më shumë. I kam kërkuar verifikim. Nuk dua lekë. Pensionist jam e kam nevojë për lekë. Me zor po jetoj. Por ama ato 2 milionë e gjysmë lekë që më kanë thënë për të cilat më kanë mashtru, ata i kam marrë e i kam në gjendje të paprekura përsëri.

Lindita Metaliaj: Pra vjet në 2020-ës, të kanë ftuar pranë postës së Lezhës, që të bësh një tërheqje prej 2 milonë e gjysmë lekësh, pa të dhënë as mandat dhe as çfarë verifikimi i kanë kryer banesës nga ana e ekspertëve?

Qytetari: Të gjithë të tjerët të kësaj zone që janë dëmtuar, janë njoftuar për me tërheq lekët. Unë kam shkuar një ditë mbrapa. Dhe kur kam shkuar, më kanë thënë nuk kemi mundësi sot se janë të tjerët. Dhe kam ikur duke u kthyer përsëri të nesërmen. Kam shku te posta, kam tërheq 2 milionë e gjysmë lekë pa ditur qysh e tek, sepse letrat i kam mbyllur inxhinierët me administratoren. Në vend të shkojë leku aty ku duhet me shku, e kanë çuar aty ku janë bërë marrëveshjet me inxhinierët, tek ata që u janë dëmtu shtëpitë por duke mos përjashtuar as administratoren e Dajçit. Ka të tjerë këtu në Dajt, që kanë marrë nga 5 milionë lekë, për shtëpia qindar vjeçare, pa tituj pronësie, për të tjerë që kanë biznese. Po ti them edhe dy emra. I pari është vjehrri i Majlinda Milotit, 2 milionë e gjysmë për shpia të vjetra. I dyti është kushëriri i parë i bashkëshortit të saj. 5 milionë lekë për një shtëpi 150 vjeçare.

Në fund ka ardhur kryetari i bashkisë në Dajç, i ka takuar të tërë të dëmtuarit, një nga këta kam qenë edhe unë. Që i kam kërkuar rivlerësim për shtëpinë. I ka qëndruar korrekt fjalës dhe të nesërmen ka sjellë dy inxhinierë nëpër shtëpia. Dy inxhinierët, njëra grua e tjetri djalë, sa kanë hyrë brenda kanë dalë jashtë.

Fjala e parë që ka thënë inxhinierja: ‘Shtëpia është e rrezikshme. Çatia e rrezikshme, e pabanueshme’.

Unë i dëgjova kur po bënin muhabet, as nuk kam ndërhyrë fare. Do ta ndryshojmë tha vlerësimin që të kanë vënë, e do kalojmë në tjetër. E po përsëri mbeta DS2. Me 2 milionë e gjysmë lekë, s’mund të bëj gjë.

Nuk kam ku ti marr sepse sot kam hallet e mia. Gjë që s’ma keni borxh ju sepse me zor po jetoj, se puna e parë që bëj kur marr pensionin laj drita e ujë, marr illaçet e pastaj ca të ngelë.

As kam kërkuar lekë, as nuk dua lekë. Vetëm të ma bëjnë shtëpinë të banueshme. Sepse që nga ajo ditë, deri më sot unë jam duke fjetur rrugëve.

Sa në Dajç, sa në Lezhë.

Mua s’më intereson se kush është në pushtet, unë dua që ky shtet pa dallim ngjyrash ti ketë të tanë të bartabartë. Jo njëri i nanës e tjetri i babës.

Metaliaj: Me 2 milionë e gjysmë kjo banesë nuk mund të bëhet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *