Sot është dita e katërt e vaksinimit masiv të personave mbi moshën 70-vjeç, që do marrin vaksinën kineze të ‘Coronavac’-it. Të moshuarit presin në radhë jashtë tendave, të ulur nëpër karrige.
Procesi i vaksinimit po zhvillohet në tendat e ngritura në Sheshin Skënderbej në Tiranë, ku ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shkuar që në mëngjes për ta ndjekur nga afër.
Zonja Manastirliu ka deklaruar se brenda muajit prill do të vijnë edhe 20 mijë doza të tjetra të vaksinës së Pfizer.
“Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac.”– thotë Manastirliu.
Ministrja vlerësoi grupin e vaksinatorëve, që sipas saj po bëjnë një punë shumë të mirë. Ajo tha se për tre ditë radhazi janë kryer mbi 50 mijë vaksinime, gjë që sipas saj “tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme”.
Ajo shtoi se janë të përgatitur që të rrisin edhe numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve të burimeve njerëzore, të cilat tashmë janë trajnuar.
Manastirliu tha se procesi i vaksinimit do të vijojë në qendrat e përqendruara por edhe qendrat shëndetësore kudo në vend.