Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se kërkohen hetime të mëtejshme për të përjashtuar përfundimisht teorinë se Covid-19 doli nga një laborator në Kinë.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se megjithëse ky mund të ishte shkaku më pak i mundshëm, më shumë kërkime janë të nevojshme të kryhen.
SHBA dhe vendet e tjera e kanë kritikuar Kinën se ka dështuar për t’i siguruar OBSH-së të dhëna të mjaftueshme mbi këto hetime.
Pekini gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat për rrjedhje të virusit.
Në raportin e kryer nga OBSH dhe ekspertët kinezë të publikuar të martën, thuhej se shpjegimi se virusi ka dalë nga laboratori nuk ishte shumë i mundshëm dhe se virusi ndoshta ishte përhapur nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër ndërmjetëse.
Kina ende nuk i është përgjigjur deklaratës së fundit të OBSH-së.
‘Të gjitha hipotezat në tryezë’
Sidoqoftë teoria se virusi mund të ketë ardhur nga një rrjedhje në një laborator “kërkon hetim të mëtejshëm, potencial me misione shtesë që përfshijnë ekspertë të specializuar.”- tha Dr Tedros të martën, citon BBC.
“Më lejoni të them qartë se sa i përket OBSH-së, të gjitha hipotezat mbeten në tryezë.”- shtoi ai.
Koronavirusi u zbulua për herë të parë në qytetin e Wuhan-it, në provincën Hubei të Kinës në fund të vitit 2019. Një ekip ndërkombëtar ekspertësh udhëtoi në këtë qytet këtë janar për të hetuar origjinën e virusit.
Hulumtimi i tyre u mbështet në shembuj dhe prova të siguruara nga zyrtarët kinezë, por Dr Tedros tha se ekipi kishte vështirësi në qasjen e të dhënave të papërpunuara dhe bëri thirrje për “ndarje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse të të dhënave” në të ardhmen.