PDK-ja dhe AAK-ja kanë njoftuar se nuk do marrin pjesë në votimin e Vjosa Osmanit si presidente të Kosovës.
Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha sot se forca politike që drejton mbështet procesin e formimit të institucioneve që mundësojnë stabilitet politik, por nuk e mbështet Osmanin, pasi sipas tij, ajo është figurë përçarëse.
“PDK e mbështet procesin e konstituimit të institucioneve të reja zgjedhore që vendit t’i mundësojnë stabilitet dhe të cilat duhet ta mbështesin Kosovën që ta forcojnë pozicionin ndërkombëtarë, por ne si PDK kuptojmë që krijimi i institucioneve nuk duhet ta rrezikon demokracinë në Kosovë. Ne i kemi disa arsye pse PDK nuk e mbështet Vjosa Osmanin, pasi ka qenë figurë përçarëse dhe ajo është kandidate partiake dhe jo konsensuale. Ajo është treguar e një anshme dhe nuk ka qenë një figurë mbi partiake por përkundrazi e ka përdorur zyrën për të krijuar një parti të re politike.” – tha Hoxhaj.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së. Sipas Haradinajt, kryeministri Kurti dhe Vjosa Osmani nuk ia kanë kërkuar votat për zgjedhjen e presidentit të ri në takimin që ka pasur me to.
Deri tani vetëm LDK-ja nga partitë opozitare ka thënë se do marrë pjesë në votimin e Osmanit si presidente.