Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta: Të ndalet largimi i “trurit” dhe i rinisë sa më parë, plagë e madhe


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me fenomenin e të ashtuquajturit “largim të trurit” nga vendi, që i referohet largimit të të arsimuarve drejt vendeve të tjera.

Duke iu referuar raportit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, Meta shkruan se ky fenomen është përkeqësuar gjatë viteve të fundit, e sidomos kur bëhet fjalë për largimin e grupmoshave 20-24 vjeç.

Presidenti Meta bën thirrje për ta ndalur sa më parë këtë gjë, duke ofruar më shumë alternativa edukimi dhe punësimi.

“Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin.

Një tjetër institucion prestigjoz, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, bën me dije se fenomeni i shpopullimit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit është përkeqësuar sidomos me largimin e grupmoshave 20-24 vjeç.
Studimi vëren se nga 105 mijë qytetarë që ikin nga Shqipëria, 40,700 persona janë të arsimuar ose 40 për qind e totalit.
Largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë duhet ndalur sa më parë.
Të rinjve tanë u duhen ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi, ndërsa të arsimuarve më shumë shanse të barabarta, vlerësim meritokracie dhe vende pune, ku të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre intelektual.”- shkruan Meta.

Ai thekson se ”Shqipëria ka nevojë për ‘brain gain’ dhe jo ‘brain drain’!
KOHA PËR TË NDALUR SHPOPULLIMIN ËSHTË TANI!”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *