Ndërkohë që kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet në Korçë, e kryeministri Edi Rama në Shkodër, ky i fundit e ka gjetur kohën për të bërë një postim në “Facebook” për të krahasuar dy takimet dhe të thumbojë rivalin e tij.
Ndërsa publikon foto nga takimi i Bashës dhe një tjetër foto tjetër nga procesi i vaksinimit kundër COVID-19 që po zhvillohet në sheshin Skënderbej, Rama akuzon kryedemokratin se po kërcënon shëndetijn e qytetarëve.
“Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.- thoshin latinët.
Kjo këmbëngulje prej shejtanbudallai në fajin e kërcënimit të shëndetit të njerëzve për interesin mizerabël të një fushate edhe më mizerabël, me makina, bori, zhurmë e turmë, duke bërë përshesh në çdo shesh, është një djallëzi prej njerëzish pa vizion, pa karakter, pa përgjegjësi e as fije njerzillëku.
*Sot në Tiranë, ku vazhdon vaksinimi masiv e në Korçë, ku u krye një tjetër faj i shëmtuar infektimi masiv.”– shkruan Rama.
Madje ai shton se i bën lutje Zotit, që qytetarët që marrin pjesë në tubimet e Bashës të mos përfundojnë në spital me Covid-19.
“Lus Zotin që për dy a tre javë që i duhen virusit të kapë rrugët e frymëmarrjes, këta njerëz të verbër e të keqpërdorur, të mos përfundojnë spitaleve për mullaqet e Lulëzimit e për mustaqet e Saliut.”– shton kryeministri.