Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar sot punimet për ndërtimin e një shkolle të re pranë Qytetit Studenti. Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se shkolla e re që po ndërtohet, do të mbajë emrin e deputetit socialist që ndërroi jetë pak ditë më parë, Bashkim Finos.
“Njerëzit tek fëmijët nuk kursejnë dhe e kanë prioritet mbi çdo prioritet tjetër. Mund të rrinë pa një nga nevojat prindërit, por jo fëmijët.
Fëmijët e keësaj zone, një kohë shumë të gjatë shkojnë e zbresin në shkolla të tjera duke harxhuar një orë vajtje e një orë në kthim, 600 orë në vit. Në kaq kohë një fëmijë mund të mësojë një gjuhë të huaj, mund të merret me një aktivitet spotiv, mund të mësojë një instrument.
Do të ketë një emër dinjitoz, emrin e Bashkim Finos, të një kryeministri që na bashkoi në ditët më të vështira dhe në një zonë ku është bashkuar edhe Veriu dhe Jugu dhe realitetet urbane dhe rurale dhe emri i Bashkim Finos i bën realisht nder.“- deklaroi kryebashkiaku.
Ai shtoi se përveç ish-kryeministrit dhe ish-deputetit Fino, ka ndërmend të respektojë edhe një figurë të rëndësishme nga e djathta, ish-deputetin dhe ish-ministrin Sokol Olldashi, duke i vënë emrin e atij një rruge në po të njëjtën zonë.
“Dhe çështë e vërteta ne në fakt duam të vlerësojmë figura jo vetëm nga e majta, edhe figura nga e djathta, për ata që kanë lënë një gjurmë në komunitetin tonë.
Kemi marrë gjithashtu një propozim për një rrugë në këtë zonë në njësinë nr.2, me emrin Sokol Olldashi. Dhe duam që edhe atë koleg dhe mik ta respektojmë gjithashtu dhe besoj që Tirana do të jetë më dinjitoze me rrugë dhe shkolla cilësore por edhe me emra dinjitozë, të atyre që i kanë shërbyer këtij vendi në kapacitete të ndryshme. Përtej bindjeve politike, kush ka qenë shërbëtor publik i këtij atdheu dhe i këtij qyteti meriton të vlerësohet. Si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta.”– tha Veliaj.