Vendosni fjalën kyçe....

“E papranueshme”, OBSH: Shpërndarja e vaksinave në Evropë shumë e ngadaltë


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kritikuar shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit në Evropë duke e konsideruar si “të ngadaltë e të papranueshme”.

OBSH thotë se situata në Evropë është më shqetësuese sesa ka qenë për disa muaj. Fushatat e vaksinimit në pjesën më të madhe të Evropës janë goditur nga vonesat ndërkohë që numri i infeksioneve po rritet.

Franca është vendi i fundit që ka njoftuar masa të reja bllokimi që do zgjasin katër javë.

BE-ja është kritikuar për ritmin e programit të saj të vaksinimit, ku siç shkruan BBC vetëm 16% e popullsisë së saj e ka marrë vaksinën, krahasuar me 52% në Mbretërinë e Bashkuar.

Por BE thotë se Mbretëria e Bashkuar ka pasur një avantazh të padrejtë në kontratat që nënshkroi me prodhuesit e vaksinave, disa prej të cilëve janë të vendosur brenda BE-së.

“Vaksinat paraqesin mënyrën tonë më të mirë për të dalë nga kjo pandemi … Sidoqoftë, përhapja e këtyre vaksinave është bërë në mënyrë të papranueshme të ngadaltë… dhe po zgjat pandeminë në rajonin e gjerë të Evropës”– tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

Hans Kluge

Ai shtoi: “Ne duhet të shpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin, duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave dhe duke përdorur çdo shishkë të vetme që kemi në magazinë, TANI!”.

Javën e kaluar pati një rritje të transmetimit të Covid-19 në shumicën e vendeve në rajonin evropian të OBSH-së,  i cili përfshin më shumë se 50 vende dhe shtrihet nga Groenlanda në Lindjen e Largët të Rusisë. Sipas OBSH-së, pati 1.6 milion raste të reja dhe afro 24,000 vdekje.

E vetëm 10% e gati 900 milionë njerëzve në rajon kanë pasur një dozë të vetme të vaksinës kundër koronavirusit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *