Avokati i kompanisë ‘Ecoalmax’, Maks Haxhia, ka thënë se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me kokainën që u kap në konteinerin me banane në Portin e Durrësit.
Në një intervistë për Report TV, Haxhia tha se Selim Çekaj, mban përgjegjësi vetëm për ngarkesën me banane që kishte porositur në Ekuador dhe jo për 49 kilogramët e kokainës që u kapën mëngjesin e sotëm.
“Me këtë çështje jemi marrë gjatë gjithë kohës dje. Shkurtimisht fabula është e tillë: Ka ardhur konteineri me banane dhe i njoftohet Selimit si administrator i shoqërisë që të ishte i pranishëm sepse konteineri ka dalë me pullë të kuqe, që të do të thotë me probleme. Ndërkohë që ne bashkë me Selimin kemi thënë që ne jemi pronarët e ngarkesës me banane. Kemi bërë një marrëdhënie shit-blerje të këtij malli. S’kemi punë me konteinerin. Hapni konteinerin, të tërheqim mallin, kontrolloni mallin, nëse ka probleme me drogë etj. atëherë jemi në përgjegjës. Po dhe në këtë rast nuk jemi në përgjegjës se malli ka ardhur nga Ekuadori. Hapet konteineri, bën atë operacionin, sharruan atë ku menduan se ishte droga dhe gjetën drogë.” – tha Haxhia.
Avokati tha më tej se veprimet e policisë janë krejt të padrejta duke sjellë si shembull një rast të ndodhur në Vlorë.
Haxhia tha se në atë rast, policia ka zëvendësuar drogën me oriz dhe më pas ka ndjekur rrugën e konteinerit për të mbërritur te përgjegjësit kryesorë.
Ndërsa në këtë rast denoncoi ai, shteti kërkon të vërë para përgjegjësisë Selim Çekajn, siç ndodhi më herët me të birin, Arbër Çekaj.
“Tani cila është poshtërsia? Pasi ka ndodhur herën e parë me të birin, herën e dytë në një rast në Vlorë organi i policisë ka hequr drogën, e kanë mbushur me oriz dhe me të drejtë kanë ndjekur fatin e konteinerit. Ndërsa këtu nuk u ndoq sepse ky është qëllimi, që këtë familje ta vënë përpara përgjegjësisë dhe për ta implikuar në operacionin e parë. Po ta kishin bërë në këtë rast dhe do të arrinin në përfundim se Cekaj nuk ka lidhje me mallin e drogës atëherë do të thotë që edhe në rastin e parë nuk ka. Tani i ka ngelur sharra në goxhdë pas duan ta implikojnë patjetër Selimin, pasi duke implikuar atë mbajnë në burg edhe të birin.” – shtoi Haxhia.
Ky i fundit theksoi se fakti që autoritetet shtetërore kanë vendosur të mos i dëgjojnë e të mos i marrin në konsideratë argumentet ligjore tregn se shteti është i implikuar në këtë çështje.
Sasia prej 49 kilogramësh kokainë u kap mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit në një konteiner me banane që vinte nga Ekuadori. Porosia e bananeve ishte në emër të Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt i dënuar me 14 vite burg për sasinë prej 613 kilogramësh kokainë të kapur në Portin e Durrësit në vitin 2018.