Kryeministri Edi Rama ndodhet në një takim me fermerët në Rrogozhinë, me të cilët ka folur edhe për provcesin e vaksinimit.
Gjatë fjalës së tij Rama foli për një mesazh që i kishte dërguar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ku i kërkonte ndihmë me vaksinat që të vaksinoheshin dhe mësuesit atje.
Dhe Rama tha që do ta ndihmonte.
“Nëse sot ne jemi në këto kushte, po vaksinojmë në maksimum dhe është privilegji më i madh i gjithë jetës sime politike, kur shoh fytyrat e lehtësuara të gjyshërve e gjysheve pas vaksinimit, kjo nuk është bërë se erdhën vaksinat nga qielli, por është bërë me shumë këmbëngulje e duke lypur derë më derë, për të carë rrethimin nga BE, që na lanë jashtë e s’na thanë një dozë. Çfarë do bëja unë, do rrija të prisja?
Vendet e tjera rreth e rrotull nesh bëjnë vetëm vaksinime simbolike, askush s’e ka filluar vaksinimin masiv. Ne jemi shumë krenarë që po ndihmojmë edhe Kosovën. Që po ndihmojmë edhe mjekët e Kosovës.
Dhe më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Duke më falenderuar e duke më thënë që meqë ata morën disa mijëra vaksina dhe do vaksinojnë mjekët, do të dëshironte që ne t’i ndihmonim për mësuesit. ‘Po’ i thashë. ‘Patjetër. Do t’i japim ato që duhet dhe që mundemi që të vaksinohen edhe mësuesit e Kosovës.’ E si bëhen këto? Me llafe, me dëngla? Duke fjetur gjumë? Dhe ndërkohë që ne jemi në mes të kësaj finale dhe e shohim dritën atje, e shikojmë horizontin e sezonit turistik…”– deklaroi Rama.