Kandidatja e PD-së për deputete Albana Vokshi është takuar me disa qytetarë në zonën e Laprakës. Ata denoncuan vjedhjen e fondeve nga bashkia për ndërtimin e infrastrukturës së tyre.
Tek kjo zonë me rreth 20 mijë banorë, sipas tyre qeveria nuk jep asnjë shërbim, megjithëse banorët thonë se janë taksapagues të rregullt.
“Nuk kemi as kopësht, as çerdhe, as shkollë, as ambulancë, as poste. Paguajnë 60 mijë lekë në muaj për të çuar fëmijët në shkollë tek rruga e Durrësit. Paguajmë taksat, paguajmë gjelbërimin, pastrimin, taksë për infrastrukturën arsimire dhe jemi të braktisur, ndërkohë që jemi 1.5 km nga qendra e Tiranës.”– shprehen banorët.
Zonja Vokshi akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj se ka mbledhur 40 milionë euro nga taksa e infrastrukturës shkollore, por në Tiranë shkolla për fëmijët nuk ka, sepse taksat janë vjedhur dhe abuzuar për qëllime elektorale.
“8 vjet ju ka lënë në baltë”- tha Albana Vokshi, e cila shtoi se edhe projektet e lëna nga Lulzim Basha, i kanë vjedhur.
Një banor u ankua gjithashtu për çmimet e ujit dhe të energjisë elektrike. “Uji nga 7 mijë lekë na ka shkuar mbi 30 mijë lekë, dritat nga 27 mijë lekë na kanë shkuar mbi 90 mijë lekë”.
Zonja Vokshi u bëri thirrje qytetarëve që në datë 25 të votojnë për PD-në.
Në datën 25 e kanë kuptuar se nuk mund t’i japin më votën një kryeministri që i ka braktisur, që nuk ka bërë asgjë, një kryeministër që u fut dorën në xhep njerëzve. Një kryeministër që nuk ka mbajtur asnjë premtim, nuk duhet të votohet. Banorët e kësaj zone dhe të gjithë vendin duhet të votojnë për një qeveri që mendon për ta”– tha Albana Vokshi.