Vendosni fjalën kyçe....

75% e investimeve në ekonomi shkojnë për ndërtim


Megjithëse bota sot jeton në epokën e teknologjisë, struktura e investimeve në ekonominë shqiptare dëshmon ende një dominim të skajshëm të formave klasike të kapitalit fiks.

Sipas të dhënave më të fundit të Instat për strukturën e investimeve, që i takojnë vitit 2018, për çdo 100 lekë që investohen në ekonominë shqiptare, 75 lekë shkojnë në ndërtim.

Dominimi i ndërtimit në strukturën e investimeve ka qenë një tipar konstant, madje deri në vitin 2009 pesha e tyre ndaj investimeve totale ishte më shumë se 80%. Megjithë një ulje të lehtë në dekadën e fundit, investimi në ndërtim ruan një dominim absolut, me shpërndarje të herëpashershme të peshës specifike mes llojit të aktivitetit ndërtues.

Për vitin 2018 dega me peshën më të lartë ishte ndërtimi për banim, me 45% të investimeve totale, i ndjekur nga ndërtimet inxhinierike me 20%. Këto ndërtime patën arritur nivel mjaft të lartë në vitin 2017, kur sollën rreth 29% të investimeve totale në ekonomi.

Ky cikël duket se përputhet me trajektoren e investimeve të mëdha në energjetikë dhe sidomos me gazsjellësin TAP. Në një këndvështrim pak më afatgjatë, bie në sy fakti se ndërtimet inxhinierike zakonisht marrin peshë më të lartë specifike në vitet zgjedhore, në dëshmi të faktit se qeveritë i kanë përdorur investimet publike për përfitime elektorale.

Investimet në funksion të zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe komunkimit ende kanë një peshë të papërfillshme në totalin e investimeve që kryhen në ekonominë shqiptare. Sipas Instat, për vitin 2018 programet dhe databazat kompjuterike përbënin 0.62% të investimeve totale, çka përfaqëson edhe nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Për ta shprehur ndryshimin në vlerë absolute: në vitin 2018 në Shqipëri u investuan rreth 2.4 miliardë euro në ndërtim dhe më pak se 20 milionë euro në software.

Pas ndërtimit, makineritë dhe pajisjet ishin grupi i dytë për nga rëndësia në strukturën e investimeve, me 18.1% të totalit. Pesha e investimit në makineri dhe pajisje ka shënuar një rritje pas vitit 2015, ndoshta e lidhur edhe kjo me projektet e investimeve të huaja në sektorin energjetik. Sidomos pas vitit 2013 vërehet një rritje e peshës së mjeteve të transportit, që për vitin 2018 përbënin 5.3% të investimeve totale.

Sektori më i rëndëisshëm në ekonominë shqiptare, bujqësia, vazhdon të ketë një peshë të ulët në strukturën e investimeve, madje për periudhën 2017-2018 kontributi i saj ra në më pak se 1%.

Investimet bujqësore konsistojnë kryesisht në pemtari dhe vreshtari, por edhe pesha e tyre ka rënë pas vitit 2015, çka mund të shpjegohet me ndryshimin e formës së subvencioneve shtetërore për bujqësinë. Një kontribut negativ në vitet 2017 dhe 2018 ka dhënë blegtoria, ç’ka nënkupton rënie të pasurisë në formën e kapitalit biologjik të këtij sektori.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *