Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Kukësi: PD-ja program të veçantë ndihme për të rinjtë e  familjet shqiptare, na votoni të sjellim ndryshimin


Kreu i PD-së ka premtuar nga Kukësi se qeveria e re do e bëjë pagën minimale në vend 300 euro dhe se e ka planin, ekspertizën dhe vendosmërinë për ta realizuar këtë gjë.

Gjatë një takimi me të rinjtë në qytetin verilindor kryedemokrati tha se forca politike që drejton ka plan të veçantë për mbështetjen e të rinjve dhe ndalimin e largimit të tyre nga vendi.

“Unë e kuptoj që me 200 mijë lekë rrogë, nuk jetohet. Ndryshimi në radhë të parë për mua do të thotë mirëqenie, rritja e pagës minimale kjo qё the. Paga minimale prej 360 mijë lekësh apo 300 eurosh, por qё nuk do tё vij me dekret as me deklarata para fushate do tё vij me njё plan tё mirё, dhe ne kёtё plan e kemi, kemi ekspertët pёr ta zbatuar atё, kemi vendosmërinë pёr ta zbatuar atё. Sipërmarrja rinore, në veçanti, do të ketë masa të diskriminimit pozitiv pa dëmtuar konkurrencën, se ju e dini, një ekonomi që të ecë përpara duhet të ketë konkurrencë, duhet të ketë kushte të barabarta por diskriminim pozitiv në kuptimin për t’ju hequr ato vështirësi shtesë që ka një i ri apo një e re, që do të nisë një biznes.” – tha Basha.

Kreu i selisë blu shtoi më tej se Shqipëria po plaket për shkak të largimit të të rinjve dhe rënies së numrit të çifteve të reja dhe lindshmërisë në vend.

Basha tha se qeveria e tij do financojë 100% interesat e kredive bankare për çiftet e reja që blejnë shtëpi.

“Dy janë arsyet kryesore pse po plaket Shqipëria, largimi i të rinjve  dhe rënie e çifteve të reja dhe e lindshmërisë. Ndaj, ndër politikat tona kryesore për ta ndalur këtë plakje të Shqipërisë, këtë tkurrje, këtë zvogëlim të Shqipërisë, janë pikërisht mbështetja e çifteve të reja, si për strehimin ashtu edhe për fëmijët e porsalindur. Duke filluar nga viti ynë i parë i qeverisjes, ne do të financojmë 100% interesat e kredive bankare për çiftet e reja që blejnë një banesë në mënyrë që të themelojnë familjen e tyre. Ndihma e dytë që do të japim është që për çdo fëmijë të porsalindur, deri sa të bëhet 5 vjeç do të ketë një bonus prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj.” – shtoi Basha.

Ai u bëri thirje të rinjve dhe mbarë qytetarëve të Kukësit që në zgjedhjet e 25 prillit të votojnë Partinë Demokratike, për të sjellë në vend ndryshimin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *