Vendosni fjalën kyçe....

“Punëtorë nga Bangladeshi”- Meta i përgjigjet Ramës: Do mjaftonte një fshat i Indisë për të shpopulluar Shqipërinë


Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë sot në homazhet përkujtimore të masakrës së 2 prillit në Shkodër, ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Ai vendosi një kurorë me lule tek memoriali që është ngritur për nder të 4 dëshmorëve që ranë gjatë demonstratës anti-komuniste.

Meta tha se vendi ynë ende vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet.

“Sot bëhen 3 dekada që nga ajo ditë e 2 prillit të vitit 1991, ku 4 djem nga më të mirët e Shkodrës dhe Shqipërisë u vranë pabesisht, pikërisht se dolën në mbrojtje të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe protestës demokratike. Sot jemi këtu për të nderuar kujtimin e tyre, të paharruar, jemi këtu edhe për t’u angazhuar për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, zgjedhjet e lira, mendimin e lirë në Shqipëri.

Ende Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira, fenomeni i partisë-shtet dhe kapja e shtetit që ka mbajtur peng edhe procesin e integrimit europian të vendit tonë prej kaq vitesh. Ndaj është momenti që të gjithë të nisemi drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për të rivendosur vendin në shinat e Kushtetutës dhe të demokracisë. Në themel të Kushtetutës sonë qëndron pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira dhe vota e lirë dhe e barabartë.

Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë gjithmonë në krye të këtij marshimi sepse ka qenë zemra dhe frymëzimi për demokracinë edhe në kohët më të errëta të vendit tonë. Sot jam i bindur, akoma edhe më shumë. Ne nderojmë jo vetëm sakrificat e martirëve të 2 prillit, por gjithë atyre që në emër të fjalës së lirë, në emër të demokracisë, në emër të lirisë së besimit u martirizuan.”– tha Meta.

Mes të tjerash, Meta iu përgjigj dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se në vend të shqiptarëve mund të merren edhe punëtorë nga Bangladeshi.

Por Meta thotë se 25 prilli duhet të përdoret për të ndaluar largimin e shqiptarëve dhe jo për t’i zëvendësuar me qytetarë nga vendet e tjera.

“Unë jam këtu t’i bëj të qartë çdo qytetari se ai është zoti i vendit të tij dhe kjo gjë materializohet me votën e tij. Pamundësia për të votuar na solli atje ku e dimë të gjithë. Tani kemi një mundësi të jashtëzakonshme, kemi votën tonë dhe fuqinë e kësaj vote dhe ta përdorim për të mbrojtur të ardhmen tonë, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë, për t’i zëvendësuar ata me qytetarë nga vendet të tjera. Se do të mjaftonte një fshat i Indisë për të shpopulluar gjithë Shqipërinë.“– tha Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *