Presidenti Meta i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë dëmin e madh ekonomikë që i është shkaktuar vendit pas vendimit të gjykatës ndërkombëtare për dëmshpërblimin e biznesmenit italian Francesco Becchetti me 110 milionë dollarë.
Kreu i shtetit shkruan se kjo ka ndodhur vetëmm për tekat e kryeministrit Rama që urrën lirinë e medias. Meta thekson se skandali është edhe më i thëllë duke qenë se Avokatura e Shteti e ka gënjyer duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin.
“E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë. Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro. Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.” – shkruan Meta.
Ai kërkon me forcë që drejtësia të vërë para përgjegjësisë ligjore shkaktarët e dëmit të madh ekonomik e për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për buxhetin e shtetit.
“Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.” – mbyll reagimin në Facebook, Meta.