Vendosni fjalën kyçe....

Vaksifushata e Ramës përballë fakteve – Si Shqipëria pati vdekjet më të larta në Europë me sistemin shëndetësor të degraduar


Vetëm 23 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare dhe duket se “kali i betejës” që kryeministri Edi Rama po përdor për këtë fushatë zgjedhore është vaksinimi i qytetarëve kundër koronavirusit.

Edhe pse KQZ e ka sqaruar qartë se ndalohet përdorimi i “burimeve publike për fushatë” dhe madje u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë rregullat.

Që ai po e përdor vaksinimin për fushatë, këtë e dëshmon dhe spoti elektoral që vetë Rama ka publikuar. Nëse më parë mburrej se po “vaksinoheni ngaqë më keni mua kryeministër”, në spot Rama shprehet se siguruam vaksina kundër të gjitha parashikimeve dhe shton: “Për pak muaj kjo vuajtje e madhe do të mbarojë”. Kjo deklaratë nuk qëndron pasi në asnjë vend të botës, ende nuk dihet se kur kjo pandemi do të mbarojë. Por vetëm ka spekulime.

 

 

Megjithatë në çdo dalje publike të tij, sidomos tani në fushatë kryeministri një e dy e përmend vaksinimin duke u shprehur se ai është i vetmi që mund ta menaxhojë këtë krizë që ka sjellë pandemia.

Por sa mirë e ka menaxhuar Rama pandeminë? Fjalët duket se nuk përputhen fort mirë me faktet. Numri i lartë i viktimave dhe i të infektuarve përkundër testimeve të ulëta dhe me shqiptarët që harxhojnë miliona para për t’u kuruar në Turqi, tregojnë për një realitet jo aq me ngjyra sa e përshkruan kreu i qeverisë.

Vaksinimi i riaktivizuar për fushatë

Në fillim të këtij viti, kryeministri Rama e shiti sikur kishte siguruar shumë vaksina pa zbuluar të dhënat e një kontratë sekrete me kompaninë Pfizer, por kontrata e zbuluar nga Gogo.al në muajin janar tregoi se do kishte mjaft vonesa në shpërndarjen e tyre.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje konfidenciale, qeveria shqiptare kishte blerë 499 mijë e 590 doza të cilat do të ndaheshin në muaj, por dërgesa në muajit e fundit të kontratës mbetej e paqartë.

Për muajin janar ishin blerë 10 mijë e 530 doza, duke paguar për një vaksinë 12 dollarë. Kontrata zbulonte planin e ardhjes së 30 mijë e 420 dozave në shkurt ndërsa në vjeshtë dhe dimër 458 mijë e 640 të tjerave. (Për detajet lexo këtu).

Pas një pauze dhe një pasigurie se çdo bëhej në vazhdim me vaksinimet, ndërsa zgjedhjet po afroheshin kryeministri Edi Rama u duk sikur u riaktivizua lidhur me sjelljen e dozave të reja në vend. Dhe brenda Marsit, në vend mbërritën mbi 38 mijë doza të Astra Zenecës dhe 192 mijë doza të vaksinës kineze ‘Coronavac’.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 138.846 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Por sigurimi i dozave të vaksinave të sigurta si dhe kryerja e vaksinimit, është një detyrim që qeveria e ka.

Ku qëndron Shqipëria me vdekjet dhe infektimet?

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i Pandemisë deri më 1 Prill, në vendin tonë janë regjistruar 125,506 raste me koronavirus, ndërsa kanë humbur jetën prej tij plot 2241 qytetarë. Ndërkohë dyshimet janë se numri i të infektuarve mund të jetë shumë më i lartë, po ashtu edhe i vdekjeve.

Sipas një artikulli të publikuar në muajin janar nga Monitor.al, në vitin 2020 kanë humbur jetën në vendin tonë rreth 28 mijë persona, pra me rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë, me një rritje prej 28%. Kjo shifër ka shënuar dhe nivelin më të lartë historike të shtesës së vdekjeve, të paktën që nga viti 1990 kur INSTAT raporton të dhënat.

Historikisht në vend janë shënuar midis 20-22 mijë vdekje në vit, ndërsa kapërcimi në 2020-n është shumë i lartë.

Në muajin Mars, këto shifra u përditësuan. Kështu të dhënat e marra nga Gjendja Civile, tregojnë se nga marsi i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2021 janë rreth 8,500 vdekje më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej rreth 39%, në raport me të njëjtat periudha të vitit paraardhës.

Ndërkohë, sipas një tjetër shkrimi nga Monitor.al që i referohet të dhënave të Eurostat-it dhe atyre të INSTAT-it të përmendura më lart, pandemia e Covid-19 ka rezultuar më fatale në Shqipëri se në gjithë shtetet e tjera të Europës.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2020 Shqipëria shënoi rritjen më lartë të vdekjeve në Europë, në krahasim me mesataren e viteve2016-2019.

Të parafundit në Europë për testimet

Shqipëria ka ecur mjaft ngadalë përsa i përket testimit të popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë kryer gjithsej 561,820 teste për të konfirmuar nëse një person është i infektuar apo jo.

Sipas të dhënave të “Worldometer”, Shqipëria renditet e parafundit në Europë për numrin e testimeve për popullsinë, me 193,856 testime për 1 milionë banorë.

E fundit vijon të renditet Ukraina, me 189,243 testime për 1 milionë banorë.

Shqiptarët drejt Turqisë për spitalet

Ndërkohë që Covid-19 ka shkaktuar mbi 2 mijë viktima siç e përmendëm më lart dhe në spitalet dedikuar Covid ka patur mjaft denoncime përgjatë muajve të fundit (për mungesë shtretërish, numër të ulët mjekësh për numër pacientësh, vjedhje të pacientëve, vetëvrasje të pacientëve…) shqiptarët duket se kanë më shumë besim tek spitalet turke.

Sipas një hulumtimi të Birn të publikuar në nëntor të 2019-ës, nga fillimi i pandemisë deri në muajin e hulumtimit nga aeroporti i Rinasit kanë fluturuar 565 chartera ambulancë drejt Turqisë, duke u kushtuar pacientëve shqiptarë mbi 6.7 milionë euro për udhëtime dhe 12 milionë euro të tjera për kurimin në spitalet private.

Të dhëna që dëshmojnë qartë për një mosbesim të shqiptarëve në institucionet shëndetësore të vendit.

Ku jemi me imunizimin?

Sipas një studimi të kryer nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në fund të 2020-ës rezulton se mbi 50% e popullsisë së Tiranës janë imunë ndaj koronavirusit. Ndërkohë në rang kombëtar, rezulton të ketë fituar imunitet 25% e popullatës.

Sikurse ka sqaruar Akademia e Shkencave, të dhënat për studimin janë marrë nëpërmjet testimeve serologjike të realizuara nga specialistёt imunologë, pjesë e shërbimit të imunologjisë pranë QSUT, anëtarë e bashkëpunëtorë të Akademisë.

Sipas një studimi të mëhershëm të publikuar në shtator të 2020-ës, deri në qershor vetëm 6-7% e popullatës kishte përfituar imunitetin për qytetin e Tiranës, një shifër që ishte shumë larg imunitetit kolektiv të ashtuquajtur të tufës./ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *