Ambasadorja Amerikane e akredituar në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar sërish lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.
Ambasadorja Kim reagon në një moment ku palët politike janë duke zhvilluar një betejë për formatin e fletës së votimit. Betejë e cila zhvillohet në institucionet e zgjedhjeve.
Kim i kujton autoriteteve që të sigurojnë rregullat dhe kushtet të jenë të drejta në kohë dhe transparente.
“Kujtesë: Është absolutisht e rëndësishme për autoritetet të sigurojnë që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve janë, në fakt dhe nga perceptimi, të drejta, në kohë dhe transparente. Çdo gjë më pak do të ishte në dëm të votuesve dhe një hap prapa për demokracinë”-shkruan Ambasadorja Kim.
Palët kanë ankimuar vendimin e KSHZ-së e cila vendosi për një fletë votimi horizontale me emra dhe numra të kandidatëve për deputetë.
Nga njëra anë Partia Socialiste kërkon një fletë votimi vetëm me numra dhe logot e partive.
Nga ana tjetër PD-ja kërkon që fleta të jetë vertikale dhe me emrat e dukshëm të deputetëve.