Juventusi e ka bërë një hap tjetër mbrapa në përpjekje për ta mbrojtur titullin në Serie A, pasi është ndalur me një barazim 2:2 nga Torino në derbin e qytetit të shtunën.
Iu desh Cristiano Ronaldos një gol në minutën e 80-të për t’ia shmangur Juventusit disfatën e dytë radhazi, pasi Antonio Sanabria kishte shënuar dy herë për epërsinë e Torinos pas bardhezinjtë kishin kaluar të parët në epërsi përmes Federico Chiesas në Stadiumin Olimpik
Juve ka rënë në pozitën e katërt duke i mbledhur 56 pikë pas 28 ndeshjeve, derisa Torino renditet e 17-të me 24 pikë, vetëm dy larg zonës së rënies nga liga.
Në një ndeshje energjike, Chiesa e kaloi kampionin në fuqi në epërsi pas vetëm 13 minutave lojë, kur i iku mbrojtësit të Kosovës Mërgim Vojvoda dhe shënoi gol individual.
Sanabria e barazoi rezultatin në minutën e 27-të, duke shënuar me kokë nga një top i kthyer në zonë, para se ta kalonte Torinon në epërsi në minutën e 46-të në një kundërsulm të shpejtë të vendasve.
Pas përpjekjeve të shumta, Ronaldo e barazoi rezultatin dhe rrjedhimisht e shpëtoi Juven kur shënoi nga afërsia i harruar vetë në zonë në minutën e 80-të.