Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Këtë javë presim një tjetër sasi të konsiderueshme vaksinash


Një tjetër sasi e konsiderueshme vaksinash pritet të mbërrijë së shpejti në vendin tonë. Të paktën kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama në një dalje për mediet, nga Pogradeci ku ka shkuar për të inspektuar procesin e vaksinimit.

Rama tha se askush nuk do të mbetet pa vaksinuar.

“Është një proces që nuk ndalet. Jemi duke ecur me ritme shumë të larta, në radhë të parë falë një reagimi shumë efikas dhe patjetër edhe koordinimit shumë të mirë që bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, nën mbikëqyrjen e e ministres.

Po ashtu edhe aplikimet online për vaksinim në portalin e-albania funksionojnë më së miri.

Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje qytetarëve që t’i referohen portalit e -albania për çdo gjë, kur kanë nevojë të drejtohen aty për t’u regjistruar për vaksinimin dhe mendojnë se nuk po i njofton mjeku i familjes. Ndërkohë mjekët e familjes njoftimet i bëjnë në bazë të planit të vaksinimit.

Ndërkohë askush, absolutisht askush s’do mbetet pa u vaksinuar. Këtë javë vijnë sasi të tjera të konsiderueshme vaksinash që japin mundësi të vazhdojmë të vaksinojmë masivisht.

Dhe po ashtu duke garantuar që sapo vjen afati i dozës së dytë, vaksinat janë në dispozicion. Besoj se po këtë javë do të kemi edhe një lajm tjetër, për një tjetër sasi të konsiderueshme vaksinash të tjera.” deklaroi Rama.

Ndërkohë ministrja Manastirliu tha se ka përfunduar vaksinimi i arsimtarëve dhe se sot arrijmë në 200 mijë vaksinime në shkallë vendi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *