Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit si Preidente e Kosovës.
Ish-kryeministri Haradinaj, thotë se votat për Osmanin ishin të kontrabanduara dhe se sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Sipas tij, deputetët që morën pjesë në votim lanë parimet e tyre duke bërë “pazare nate”.
“Sot pas zgjedhjes së znj. Osmani-Sadriu për Presidente të Kosovës, Aleanca qëndron faqebardhë në ruajtjen e sistemit kushtetues së demokracisë republikane.
Votat e kontrabanduara në këtë proces tregojnë se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë. Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lirë.
Urime deputetëve që morën pjesë duke i përfshirë edhe ata të pazarit të natës që lan parimet për përfitime të atypëratyshme.
Lufta për demokraci fillon sonte. Ftoj politikanët dhe qytetarët e vullnetit të mirë të mbrojmë së bashku vlerat e Kushtetutës dhe shtetit të lindur nga gjaku i lirisë!”– shkruan Haradinaj.
Kujtojmë se Haradinaj i cili në këto zgjedhje kandidonte për president kundër Osmanit, është shprehur më parë se është kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse sipas tij “kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit”.