Vendosni fjalën kyçe....

Tubimet në kohë Covidi, Basha: Ne marrim masat më strikte, po të ishte Rama aq i shqetësuar nuk do tejmbusheshin sot autobusët


Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për akuzat që ka marrë nga kryeministri Edi Rama lidhur me tubimet e tij elektorale, ku mblidhen shumë njerëz përkundër masave anti-Covid.

Në një intervistë të zhvilluar herët këtë mëngjes, në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, Basha tha se aid he stafi i tij i zhvillojnë tubimet duke vendosur rregullat më strikte, por sipas tij ndonjëherë është e pamundur të zbatohen për shkak të entuziazmit të madh të njerëzve që e presin.

Ai thotë se për këtë arsye mban vetëm një përshëndetje të shkurtër përpara tyre dhe vijon më pas takimet me qytetarët. Basha akuzon Ramën se ai nuk është vërtetë aq i shqetësuar për shëndetin e shqiptarëve, pasi po të ishte kështu, autobusët e vendit nuk do të mbusheshin plot me pasagjerë.

“Padiskutim dhe jam i pari që kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj marrjen e masave, dhe shëndetin mbi gjithçka dhe në çdo aktivitet timin elektoral të organizuar nga unë dhe stafi im elektoral, ne marrim masat më strikte anti-covid, sepse të pakten deri me 25 Prill kemi vetëm Zotin dhe veten tonë për t’u mbrojtur.

Natyrisht e kam shpeshherë të pamundur të ndal entuziazmin që duket në pritjet që bëhen dhe ju e keni parë që edhe në këto momente u bëj thirrje mbështetësve që të mbajnë maskat, të ruajnë distancat. U bëj një përshëndetje sa më të shkurtër dhe pastaj vazhdoj me angazhimet elektorale të cilat janë të organizuara sipas masave anti-covid.

 Por edhe këtu do të thoja që sulmet e kryeministrit në ikje nuk kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve.  Kanë të bëjnë me dëshirën e tij për t’u kapur pas çdo gjëje, vetëm e vetëm për t’i ikur pyetjes: Çfarë bëre këto 8 vite?

Po të ishte realisht i shqetësuar për Covidin nuk do t’i shikonim autobusët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të tejmbushur me pasagjerë, nuk do t’i shikonim kafet dhe restorantet me njerëzit që rrinë sup më sup me njëri-tjetrin. Sepse ky është realiteti sot. Nuk shqetësohet për këto.

Shqetësohet sepse shikon entuziazmin që paralajmëron të pashmangshmen, largimin e tij më 25 Prill dhe nisjen e ndryshimit për të cilin është e etur Shqipëria, janë të etur të gjithë shqiptarët. Përfshirë do të thoja edhe socialistët e ndershëm, për të cilët në veçanti kam një thirrje sot, që me mbështetjen e tyre për ndryshimin, të jenë të sigurt që do të investoj në një politikë që nuk do t’i diskriminojë, përçajë dhe ndajë shqiptarët sipas bindjeve politike, por do t’i jap mundësinë të gjithëve të ecin përpara në bazë të punës, djersës, talentit dhe investimit në jetën e tyre dhe në jetën e fëmijëve të tyre.”– theksoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *